Ndryshimi i sistemit elektoral nuk është një akt i këshillueshëm
Përveç administrimit të procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organ i specializuar ka bërë publik vullnetin për të kontribuar me sugjerime teknike në kuadër të reformës së re elektorale. Edhe pse ende larg kësaj faze, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ofron një interpretim të përmbledhur të problemeve që mund të korrigjohen në të ardhme, duke nisur që nga rishikimi i kompetencave të vetë komisionit e deri te diskutimi për sistemin ekzistues.
Ka përgatitur KQZ një dosje me sugjerime konkrete në kuadër të reformës së re zgjedhore? Cilat janë pikat kryesore të tyre?
KQZ është ende në përpunim e sipër të konkluzioneve të nxjerra nga zgjedhjet e kaluara dhe në këtë moment nuk ka një material përfundimtar për ndryshime të mundshme të Kodit Zgjedhor. Ndërkohë, në dijeninë time ende nuk jemi në një kuadër reformash zgjedhore. Nëse kjo reformë do të fillojë dhe nëse do të kërkohet mendimi i KQZ-së, sigurisht që do të jetë gati në momentin e duhur.
Ka nevojë sipas jush për një ndërhyrje edhe në rolin e KQZ-së?
Roli i KQZ-së është plotësisht në linjën logjike të ndërtimit të Kodit Zgjedhor aktual, por mund të ketë vend për të shtuar apo qartësuar disa kompetenca siç janë për shembull kompetencat e KQZ-së për kontrollin e financave të përdorura nga partitë politike në fushatë elektorale. Pikërisht për këtë ka pasur kohët e fundit disa takime të faktorëve me impakt në zgjedhje dhe mendimi që ka mbizotëruar në këto takime ka qenë në favor të shtimit të kompetencave për KQZ. Si ky shembull ka edhe disa pika të tjera ku mund të ndërhyhet për t’i shërbyer miradministrimit të zgjedhjeve.
Në një vlerësim tuajin si jurist, por edhe njohës i mirë dhe zbatues i Kodit Zgjedhor, a është e këshillueshme ndërhyrja edhe në sistemin elektoral?
Parimisht nuk janë të këshillueshme ndryshimet e shpeshta, sidomos kur bëhet fjalë për ndryshime rrënjësore, sepse krijojnë çoroditje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe është e sigurt që ulin nivelin e organizimit dhe menaxhimit nga administratorët zgjedhorë. Të këshillueshme dhe të mirëpritura janë ndryshimet e elementëve të caktuar që vënia në zbatim e ligjit tregon se duhen përmirësuar.
A mendoni se reforma e re zgjedhore, përveç protagonizmit të partive, duhet të përfshijë edhe debate ekspertësh të fushës?
Tërheqja e mendimit nga një masë e gjerë të interesuarish dhe ekspertësh është gjëja më e mirë në një proces ligjvënës, sepse përveç rritjes së cilësisë, do të sjellë dhe një gjithëpranim të procesit.
#