Mat, qëllohet me plumba furgoni, plagosen dy gra
Policia ende nuk jep një version për shkaqet, duke cilësuar vetëm se nuk bëhet fjalë për një grabitje
BURREL - Një furgon me pasagjerë i një linje fshati në Mat është qëlluar me armë dje në orët e para të mëngjesit, ku për pasojë kanë mbetur të plagosura dy gra pasagjere. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit përgjatë aksit rural Shëllijë të komunës Komsi-Burrel, me një furgon të kësaj linje kur ai po udhëtonte nga Burreli në drejtim të këtij fshati.
Burimet policore saktësuan se në drejtim të furgonit është qëlluar me armë kallashnikov, e ku me sa duket objektivi i shënjetrës ka qenë shoferi i këtij automjeti pasagjerësh, por që ka mundur t'u shmanget mrekullisht plumbave, ndërsa janë plagosur rëndë dy gra pasagjere, Zaide Meta, 55 vjeçe dhe Ensurita Meta, 20 vjeçe.
Sipas dëshmisë së vetë drejtuesit të këtij furgoni, Gëzim Meta, të dhënë në polici, ai është nisur herët në mëngjes nga Burreli me furgon për në drejtim të fshatit Shëlli të komunës Komsi, me dy kushërirat e tij, por sapo është afruar mbi lapidarin e Zinishtit ka parë që ishte vënë nën shënjestër ndaj ka manovruar me furgonin në kthesë, por është qëlluar me automatik.
Plumbat nuk e kanë zënë atë, por 55-vjeçaren Zaide Meta dhe Ensurita Meta, 20 vjeçe. Policia ka gjetur në vendngjarje gëzhojat, ndërsa 5 plumba kanë depërtuar furgonin.
Dy nga plumbat kanë kapur 20-vjeçaren në kofshë dhe në bark, ndërsa 55-vjeçarja është plagosur në pjesën që ndan qafën me nofullën duke e vënë në rrezik për jetën. Sapo pritësit janë larguar, vetë drejtuesi i automjetit Gëzim Meta ka marrë në telefon policinë dhe i ka rrëfyer gjithë ngjarjen duke kërkuar çfarë të bënte me njerëzit e plagosur.
Nga ana e policisë i është thënë që të dërgonte menjëherë të plagosurat në spital, gjë që e ka bërë me të shpejtë, ndërsa uniformat blu i janë drejtuar vendit të ngjarjes dhe për t'u vënë në ndjekje të autorit.
Sapo të plagosurat janë çuar në spitalin e Burrelit, 55-vjeçarja është nisur menjëherë në spitalin ushtarak ku ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa 20-vjeçarja është mbajtur në spitalin e Burrelit.
Ende nuk është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të kësaj vepre të rëndë kriminale, ndërsa policia deri më tash mendon se nuk kemi të bëjmë me një grabitje të thjeshtë, ndaj po hetohet në pistat e hakmarrjes apo të ndonjë konflikti të mëparshëm. Bëhet e ditur se janë shoqëruar 3 të rinj nga ajo zonë, por ende nuk ka një deklaratë zyrtare të policisë mbi pistën e saktë të këtij atentati misterioz dhe autorëve të tij.