Zjarr në Gjirokastër, dëmtohen 10 ha kullotë
GJIROKASTËR- Një tjetër rast zjarri është shfaqur në qarkun e Gjirokastrës, duke dëmtuar rreth 10 ha kullotë. Vatra e zjarrit është evdientuar rreth orës 22:30 të së mërkurës në komunën e Lunxhërisë, pranë kalasë së Shën Triadhës.
Informacionet e marra pranë shërbimit zjarrëfikës kanë bërë të ditur se për shuarjen e zjarrit u angazhuan 20 forca zjarrfikëse, që punuan me 3 autobote, ndërsa zjarri rrezikoi dhe një zonë të pyllëzuar, që shpëtoi pa u përfshirë nga flakët falë ndërhyrjes në kohën e duhur. Mësohet se një grup hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit në komunën e Lunxhërisë.
Disa ditë më parë, në afërsi të qytetit të Këlcyrës në qarkun e Gjirokastrës, u dogj një dynym zonë e pyllëzuar ndërsa u ndalua dhe një i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Gjatë 3-mujorit të fundit, në qarkun e Gjirokastrës janë indetifikuar 11 raste zjarresh, 5 prej të cilave në pyje e kullota, ndërsa të tjerat janë shfaqur në objektet e ndryshme në jug të vendit.
Aksidentohet 25-vjeçari, humbi kontrollin e mjetit
ELBASAN - Aksidentohet rëndë 25-vjeçari, u përplas me bordurat. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Gjocajt" në unazën jugore të këtij qyteti. Një automjet tip "Ford Fiesta" me targë italiane i drejtuar nga shtetasi Idajet Hyka me banim në fshatin Gjocaj, ka dalë nga rruga dhe është përplasur disa herë në anë të saj.
I dëmtuari ështe dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit dhe ndodhet gjendje të rëndë shëndetësore. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor. Sipas të dhënave të para rezulton se shkak i aksidentit ka qenë hutimi dhe humbja e kontrollit të drejtimit të automjetit nga 25-vjeçari. Sipas mjekëve, gjendja e të aksidentuarit është ende mjaft e rëndë.