Mateus: Bajerni e ka "vrarë" Bundesligën
Ish-kapiteni i Gjermanisë në Botërorin 1990,
Lotar Mateus, pas misionit të tij si analist për televizionin arab "Al Xhazira" është rikthyer në Gjermani, ku dhe ka organizuar një ndeshje miqësore mes sportistëve të njohur të futbollit të këtij vendi. 49-vjeçari gjerman, Mateus, njihet për analizat e tij dhe në një intervistë për të përditshmen gjermane "Sport.de" ka komentuar një sërë tematikash, një ndër të cilat ka qenë edhe për shiritin e kapitenit të Gjermanisë, ku favorizon mbrojtësin Lahm dhe Bajernin e Mynihut si favorite të Bundesligës.
Z. Mateus, Bundesliga ndihet e kërcënuar nga Bajerni i Mynihut. A mendoni se trajneri Van Gal do të triumfojë përsëri?
Teorikisht po. Secili e ka mësuar se sa i fortë është Bajerni dhe është një ekip që përdor me efikasitet mekanizmat për të përsëritur suksesin. Kjo i adresohet gjithnjë punës së trajnerit, pasi është ai që përzgjedh kualitetet e skuadrës. Tekniku Luis van Gal e di se çfarë lojtarësh i duhen, dhe jo më kot ai ka zgjedhur të mos blejë më të rinj. Kjo është edhe një nga arsyet që Bajerni i Mynihut është një ekip favorit për titullin.
Po Leverkuseni i Balakut?
Bajer Leverkusen është skuadër që e nis mirë sezonin, por e humb toruan në fund. Bashkë me Balakun do të ecin në rrugën e duhur, mirëpo ai duhet të punojë shumë për t'u rikthyer në formën e tij, pasi ndryshe mund të dështojë.
Pse së fundmi nuk jeni të kënaqur me punën e tij te çelsi?
Vërtet çelsi u shpall kampion, por jo nga Balaku. Me kampionët e Anglisë jo se dha ndonjë kontribut të jashtëzakonshëm, pasi të shumtën e kohës vlerësohej si lojtar rezervë. Por edhe dëmtimet kanë ndikuar negativisht, megjithatë i uroj që të rikthehet sa më shpejt dhe pa humbur kohë të fitojë atë që kërkon.
Balak ka thënë se nuk do të bëjë të njëjtin gabim, siç bëtë ju, duke dhënë shumë vonë tërheqjen nga karriera si futbollist...
Mikaeli ka të drejtë! Unë dhashë dorëheqjen në vitin 2000, por ashtu siç shkoi ai Evropian, më mirë të mos isha prezent. Duke iu referuar ecurisë sime, më vjen mirë që ai reflektoi më herët se unë.
Balak duhej ta kishte dhënë dorëheqjen nga kombëtarja?
Ai duhet të bazohet tek forma e tij. Nëse është i vetëdijshëm se nuk sjell gjë të re, atëherë duhet të largohet, pasi nuk bën gjë tjetër veçse i prish punë të tjerëve.
Shiriti i kapitenit është bërë "mollë sherri" në kombëtare. çfarë mund të na sugjeroni si rekordmen i Gjermanisë?
Një debat i tillë ka lindur edhe në 1995-ën mes meje dhe Klinsmanit. Filip Lahm ka treguar një formë të jashtëzakonshme në Botërorin e kaluar dhe i ka bërë për vete të gjithë kolegët e tij, pasi fryma e bashkëpunimit dukej më fortë midis tyre. Ndërkohë që shoh se Balakun shumë pak veta e duan në skuadër, që do të thotë se Lahm ka përhapur më shumë simpati. Nëse Balak do të rikthehet, ky debat do të zgjidhet prej vetë protagonistëve.
Cili do të ishte vendimi i "trajnerit" Lotar Mateus?
Trajner me emrin Lotar Mateus nuk ka tek kombëtarja gjermane... Nuk është vendim i lehtë për trajnerin Joakim Lëv, pasi situata është paksa e vështirë, për shkak të funksionimit shumë të mirë të rregullatorëve në skuadër edhe në mungesë të Balakut.