E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mateus tundohet nga Bajerni i Mynihut

Nga Gert Serani
Ish-kapiteni i Gjermanisë dhe Bajernit të Mynihut, Lotar Mateus ka bërë të qartë interesimin e tij për të qenë trajner i kampionëve të Bundesligës. Pyetjes nëse do të preferonte të ishte zëvendësuesi i Otmar Hitzfeld, Mateus u përgjigj: "Sigurisht. Unë jam një person i brendshëm i Bundesligës dhe aq më shumë i skuadrës së Bajernit. Kushdo që e ka ndjekur rrugën e karrierës sime deri në momentin që flasim, i vetmi qëllim personal ka qenë dhe është drejtimi i një skuadre në Bundesligë", deklaroi Mateus për gazetën gjermane "Bild". 45-vjecari, i cili po punon prej muajit maj si asistent i trajnerit italian, Xhovani Trapatoni te austriakët e Red Bull Salzburg shtoi se do të ishte i gatshëm në cdo moment që presidenca bavareze do ta thërriste. Më tej Mateus shtoi: "Si fillim Bajerni duhet të përqëndrohet të fitojë stabilitetin që i ka munguar prej kohësh dhe më kryesorja të triumfojë ndaj kundërshtarit të radhës në Champions League, Realit të Madridit. Dua të them nëse ekipi më bën një ofertë atëherë duhet të gjejmë një zgjidhje që është e dobishme për të dyja palët". Aktualisht Bajerni i Mynihut renditet në vendin e katërt në kampionat, 11 pikë nga kryesuesit e Shalke 04. Në fund të muajit shkurt drejtuesit e Mynihut shkarkuan nga detyra Feliks Magat dhe në vend të tij emëruan, Hitzfeld që do të jetë në krye të pankinës deri në fundin e sezonit. Kandidaturën e Mateusit e ka mbështetur edhe trajneri aktual i Mynihut. "Është e vërtetë që Lotar ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë ai do të jetë trajner i Bajernit". Ndërkaq në listën për pasardhësin e Hitzfeld është edhe Bernd Shuster. Por pozicioni aspak komod që ka Bajerni në kampionat ka detyruar drejtuesit gjermanë të mendojnë edhe për përforcime të tjera. Sipas presidentit, Franc Bekenbauer, francezi Frenk Riberi është një nga lojtarët që do të dëshironte ta kishte në formacion, por kjo do të ishte e vështirë pasi duhet të konkurojnë me skuadrën madrilene.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›