Matrica integruese
Raporti i përvitshëm integrues i Shqipërisë është një dokument voluminoz mbi 700 faqe. Të paktë janë ata që mund të dallojnë këta libra të trashë, të themi raportin e vitit 2004 me atë të vitit 2006 apo 2007. E megjithatë, ndryshimi është cilësor. Raportet e viteve të fundit pasqyrojnë dhe zotimet në para të buxhetit të shtetit shqiptar. Si të thuash, vulën e sigurisë se paratë e dhëna ndihmë nga Bashkimi Evropian nuk shkojnë për diskurse OJF-ësh apo dhe më keq, në xhepa zyrtarësh të korruptuar. Fondet “IPA” (janë paratë që BE-ja jep për të përgatitur vendet për anëtarësim) nuk janë sasi kozmike (bëhet fjalë për 70 apo 80 milionë euro në vit), por domethënëse për të parë vullnetin e vendit përfitues për t’iu afruar familjes së madhe të zhvilluar evropiane. Këto fonde e kanë një rregull, të paktën 25 për qind e parave duhet të garantohet nga buxheti i shtetit përfitues. Vende shumë të suksesshme, vite më parë në afrimin dhe hyrjen në BE (Hungaria, Polonia etj.) koeficientin e përdorimit të fondeve të ngjashme e kanë pasur tek 60-65 për qind. Për këtë vit (viti i parë i zbatimit të programeve IPA), mbi 85 për qind e këtyre parave duken të zëna me projekte në administratën shqiptare, pse veçoria e kësaj ndihme është që i lihet në dorë të qeverisë përfituese të bëjë programin. Sigurisht, nën drejtimin dhe këshillën e gjithëgjendur të delegacionit të Komisionit Evropian (qeverisë së BE-së) në vendin përkatës. Për vitin e ardhshëm, janë 81.2 milionë euro dhe përparësia e qeverisë sonë është ndërtimi i rrugëve, shkollave dhe mirëmbajtja e ujësjellësve, pa dyshim një punë për t’u përshëndetur, megjithëse këto fonde zakonisht quhen për forcim institucional. Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri është bindur tashmë se forcimi i vërtetë vjen me përmirësimin e infrastrukturës dhe se qeveria jonë e ka me tërë mend kur jep fonde të saj. Kjo bindje ka ardhur dhe nga një matricë profesionale e ndërtuar për këtë qëllim nga drejtuesit e Ministrisë sonë të Integrimit, matricë që lidh përparësitë e zhvillimit shqiptar (të përcaktuara dhe në kontratën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit) me sasinë e parave të buxhetit të shtetit deri në vitin 2013. Ky parashikim ka shtyrë Delegacionin e KE-së të eksperimentojë me fondet IPA në Shqipëri, duke krijuar një precedent për përdorimin e tyre si fonde strukturore (pra, sikur Shqipëria të ishte tashmë një vend anëtar i Bashkimit Evropian). Po ashtu, në nivel të strukturës së raportimit të ecurisë me asocimin, Shqipëria është më përpara sesa vende si Maqedonia, edhe pse kjo e fundit është vend kandidat i BE-së. Maqedonasit ende sistemin e raportimit e kanë në programin kompjuterik “exel”, ndërsa vendi ynë dhe dikasteret qendrore i raportojnë Ministrisë së Integrimit në bazë të programit “web based”, i cili është më i përparuari. Mjafton të përmendim se Kroacia, vendi më përpara me integrimin në Ballkanin Perëndimor, e ka futur këtë sistem vetëm një vit më parë. Kjo punë lavdëruese e projektuesve teknikë të afrimit me BE-në në vend njihet pak nga shqiptarët. Por ajo po jep frytet e veta. Deklaratat mbështetëse të njerëzve kryesorë të Delegacionit të KE-së në Shqipëri nuk janë thjesht politike. Ata vlerësojnë dhe punën e bërë me dokumentacionin dhe përafrimin teknik me sistemin e ligjeve të BE-së. Në zyrat e këtij delegacioni në hyrje të Laprakës janë me dhjetëra dosjet e “fishave” (kështu quhen në gjuhën teknike draftet e para të programeve disa miliona apo dhjetëra miliona euro nën superprogramin IPA për Shqipërinë) që presin miratimin përfundimtar nga ana e teknikëve të KE-së në Bruksel dhe livrimin e transheve të para të fondeve. Për këto programe janë mbi dyzet sy publikë e qeveritarë që i kontrollojnë, për të shmangur vonesat e përbindshme me programet “PHARE” apo “CARDS” të vërejtura më parë. Tani është një garanci më shumë futja në lojë e vetë parave të buxhetit të shtetit shqiptar. Me fjalë të tjera, Kontrolli i Lartë i Shtetit ia vlen të ketë punë dhe të mbajë nën presion edhe këto programe, sepse mesatarisht 25 për qind e tyre realizohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. BE-ja duket e kënaqur me matricën integruese shqiptare. Është koha që kjo punë e lavdërueshme të dalë mbi ujë dhe ta mësojnë edhe shqiptarët.