E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, Izolohen 350 mësues. Do përgatisin testet

Specialistët më të mirë të lëndëve deklarojnë që nuk kanë fëmijët e tyre në testim. Do të hartohen 120 mijë teste për katër provime. Provimi i parë i Maturës Shtetërore është ai i Letërsisë dhe do të zhvillohet me datë 2 qershor. 

TIRANE-Rreth 350 specialistë, mësuesit më të mira të gjitha lëndëve, janë përzgjedhur tashmë dhe do të nisin ngujimin për hartimin e testeve të Maturës Shtetërore. Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA) ka përcaktuar tashmë edhe datat, të cilat janë një javë para ditës së secilit prej provimeve me zgjedhje e detyrim, kur specialistët do të "mbyllen brenda" dhe për 7 ditë me radhë nuk do të lejohen të komunikojnë me asnjë person të jashtëm. Madje ata do të jenë të detyruar që të firmosin edhe një formular, me anë të cilit deklarojnë se nuk kanë asnjë të afërm ose fëmijë të tyrin që merr pjesë në provimet e maturës shtetërore.

Provimi i parë i Maturës Shtetërore është ai i Letërsisë dhe do të zhvillohet me datë 2 qershor. Kështu që specialistët e Letërsisë, që do të hartojnë testin final, do të ngujohen me datë 27 maj dhe do të dalin nga ngujimi mëngjesin e datës 2 qershor, kur testet të jenë dërguar në të gjitha shkollat e vendit. Pas specialistëve të Letërsisë, do të jetë radha e atyre që do të hartojnë testin e Matematikës, të cilët do të mbyllen brenda dyerve të AVA-s duke filluar nga 5 qershor dhe deri më 11 qershor 2009, mëngjesin e të cilës testet e Matematikës do të jenë publike pasi do u jenë shpërndarë maturantëve.

E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për provimet me zgjedhje. Specialistët e të gjithë lëndëve me zgjedhje do të izolohen, duke ruajtur kështu sekret mënyrën e organizimit të testeve, nga data 4 korrik dhe do të dalin nga këto ambiente vetëm me datë 10 korrik, ditë e cila përkon edhe me provën e fundit të maturantëve të 2009-ës.  Të gjitha testet e maturantëve do të shpërndahen midis katër qendrave, asaj të Tiranës, Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit. Në total do të hartohen rreth 120 mijë teste. Për dy lëndët me detyrim, Matematikën dhe Letërsinë, do të angazhohen nga 140 vlerësues për secilën prej tyre.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›