E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në depozitat e portit 50 mijë tonë të importuar me çmim të lartë

Mbi 80 për qind e naftës në shkallë vendi gjendet në Durrës

Kompanitë në dilemë

Çmimi i naftës gjatë ditëve të fundit ka pësuar një ulje të ndjeshme në bursën ndërkombëtare, por kjo ulje nuk është reflektuar në tregun tonë, pasi karburantet vazhdojnë të shiten me vlerën e para 2 javëve. Shkak për këtë është bërë sasia e madhe e naftës, e cila gjendet në depozitat strategjikë që është importuar me çmimin më të lartë që pësoi kurba e çmimeve.

Çmimi dje në doganë

Në doganën e Durrësit, dje paradite 1 ton naftë llogaritej me 1200 dollarë. Vetëm 10 ditë më parë çmimi i arit të zi ishte 1460 dollarë toni. E llogaritur me fuçi, çmimi dje ishte 120 dollarë fuçia nga 146.4 që ishte 10 ditë më parë.

Doganierët u shprehën se “gjatë gjithë kësaj periudhe në të cilën nafta arriti kurbën më të lartë të çmimeve, vlera e akcizës prej 75% e vlerës së faturës nuk u zbatua në këtë masë, por në doganë vilet 375 dollarë për çdo ton”.

Tendenca në ulje e çmimit të naftës në bursën ndërkombëtare nuk po reflektohet në tregun tonë të brendshëm, pasi kompanitë e naftës kanë rezerva të mëdha në gjendje të cilat janë importuar me çmimet më të larta që arriti ky produkt.

Vetëm në cisternat e Durrësit gjenden rreth 50 mijë tonë naftë. E gjithë kjo sasi do të tregtohet me çmimin e sotëm nëpër distributorë. Dhe vetëm pasi kjo rezervë të shterojë do të zbatohen çmimet e tjera.

Kompanitë e karburanteve në dilemë

Kompanitë e mëdha të tregtimit të karburanteve gjenden çdo ditë në dilemë. Aktualisht, në Durrës përpunohet rreth 80 për qind e naftës të cilën e konsumon ekonomia shqiptare. Për këtë qëllim në Durrës janë ngritur edhe depozitat strategjike të naftës dhe të gazit të cilat ndodhen në portin detar dhe në Porto Romano.

Përfaqësuesit e këtyre kompanive deklaruan se “bursa e naftës gjatë harkut kohor të një viti ka pësuar vetëm rritje”.

Pronarët e huaj të rafinerive në të cilat ata blejnë naftë patën deklaruar se çmimi do të vazhdojë të njohë rritje dhe deri në fund të vitit parashikohej që çmimi të arrinte në 1800 dollarë toni dhe pak më pas do të arrinte deri në 2000 dollarë toni.

Në këto kushte kompanitë blenë sasi të mëdha me 1460 dollarë tonin të cilën e kanë në gjendje. Përfaqësuesit e kompanive shprehen se “të ndodhur në këto kushte, do të mbajmë këto çmime edhe për njëfarë kohe dhe më pas do të nisim uljen graduale të tyre në raport me naftën që do të importojmë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›