Matura Shtetërore, kur do të shpërndahet kodi i regjistrimit dhe rëndësia e tij
Jonida Tashi
Maturantët që do t’u nënshtrohen këtë vit provimeve të Maturës Shtetërore do të kenë një numër të veçantë regjistrimi. Ndërkohë, maturantët do të njihen me numrat e tyre të regjistrimit një ditë pasi të këtë përfunduar dhe procesi mësimor. Ky numër i veçantë regjistrimi, ose kodi regjistrimit, do të përcaktohet nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), sipas Ministrisë së Arsimit. Sipas informacioneve nga kjo ministri, hartimi i kodeve do të bëhet pas plotësimit të formularëve A1 nga nxënësit pranë shkollave përkatëse. Kodet e regjistrimit do afishohen në ambientet e shkollave, ku çdo maturant do të njihet dhe me kodin që do të ketë fleta e tij e provimit, nëpërmjet së cilës do të identifikohet gjatë vlerësimit të testeve. MASH-i, menjëherë pas përpunimit të të dhënave të mbledhura nga verifikimi i formularëve A1, AVA ndërton bazën e të dhënave të çdo kandidati, si dhe do të pajisë këta të fundit me një numër regjistrimi përkatës, që përbën elementin kryesor të identifikimit të tyre gjatë nxjerrjes së rezultateve të provimeve. Gjithashtu, është përcaktuar si afat zyrtar kur drejtoritë arsimore në rrethe do të marrin numrat përkatës për maturantët e shkollave të tyre data 25 maj 2008. Më pas, do të jenë komisionet e Maturës Shtetërore, të ngritura pranë shkollave, që do të bëjnë shpërndarjen e mëtejshme të kodeve për maturantët në shkollat e mesme. Kjo procedurë duhet të jetë mbyllur brenda datës 30 maj 2008, afat në të cilin të gjithë maturantët duhet të jenë njohur me kodet identifikuese individuale që do të kenë për provimet e Maturës Shtetërore. Edhe për këtë vit është përcaktuar që provimet e lëndëve me zgjedhje do të jepen në një ditë e konkretisht më 10 korrik. Ndërkohë që ka përfunduar dhe plotësimi i formularëve pranë shkollave të mesme. Aktualisht, pranë këtyre drejtorive arsimore po bëhet dhe zbardhja e informacioneve mbi të dhënat përkatëse të maturantëve që janë regjistruar për në provimet e Maturës Shtetërore, nëpërmjet deklarimit të të dhënave përkatëse në formularin A1. Do të jenë këto të fundit që brenda afatit të përcaktuar do të dërgojnë të dhënat e hedhura në formë elektronike pranë AVA-s. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve ka nisur edhe diskutimi për hartimin e formularit tjetër, në bazë të të cilit do të bëhet listimi i preferencave për degët e universiteteve publike të vendit tonë që çdo maturant do të përzgjedhë sipas një renditjeje të caktuar.
Formulari A2, MASH specialistë në ndihmë të maturantëve
Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, maturantët do të ndihmohen nga specialistë të Ministrisë së Arsimit për të bërë listimin e duhur të preferencave në formularin A2. Këshillimi i maturantëve nga ekipet e veçanta të specialistëve do t’u mundësojë nxënësve që të kryejnë listimin e duhur të preferencave në bazë të probabilitetit, ku do të kenë më shumë mundësi për të fituar. Ekipe të veçanta specialistësh do të dërgohen në të gjitha shkollat e mesme të vendit, me synim këshillimin e maturantëve për përzgjedhjen e degëve të duhura për studimet e larta. Sipas specialistëve të MASH-it, qëllimi i kësaj nisme qëndron në shmangien e problemeve të hasura gjatë provimeve të maturës së vitit të shkuar, ku shumë maturantë për shkak të zgjedhjeve të gabuara humbën të drejtën për të vijuar studimet në një nga fakultetet publike të vendit.
1 Prill 2008