E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, kategoritë që duhet të paguajnë kontributet e detyruara



Jonida Tashi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka përcaktuar kategoritë e punonjësve që përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Në këtë skemë sigurimi përfshihen një numër i madh punonjësish, duke filluar nga të gjithë të punësuarit me mandat kushtetues deri te të punësuarit me kontratë pune, me kohë të plotë ose të pjesshme. Ndërkohë, përfitimet nga pagesat e detyruara të kontributeve ndryshojnë në varësi të orëve të punës që kryen i vetëpunësuari. Mjaft të vetëpunësuar, ose të vetëpunësuar që punësojnë edhe të tretë në punët e tyre, pavarësisht nga kohëzgjatja e aktivitetit, përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, sqaron: “I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë ( me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), duke filluar nga 1.9.2006 e në vazhdim, derdh kontribute të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në masën 33.2 për qind të pagës mujore minimale, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore”.
Kategoritë për sigurimin e detyrueshëm
Sipas ISSH-së, janë një sërë kategorish punonjësish që përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Të parët në këtë skemë përfshihen të gjithë të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa ose me afat me më shumë se 1 muaj e që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme pune, për më shumë se 24 orë në javë. Kjo kategori punonjësish sigurohet në mënyrë të detyrueshme në këto degë sigurimi, për sëmundje, barrë-lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësi dhe sigurim shëndetësor. Pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm janë edhe të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme pune, që zgjat më pak se 24 orë në javë. Kategoria e sipërpërmendur kategori punonjësish sigurohet në mënyrë të detyrueshme në nivel minimal në këto degë sigurimi, barrë-lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale si dhe sigurim shëndetësor. Ndërkohë, pjesë e kësaj skeme janë edhe të punësuarit me kontratë pune, me afat me më pak se një javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme pune. Kjo kategori punonjësish sigurohet në mënyrë të detyrueshme në këto degë sigurimi, aksidente në punë e sëmundje profesionale si dhe sigurim shëndetësor.
Administratorët dhe familjarët e tyre
Në rast se pronarët e personave juridikë ushtrojnë funksione drejtuese, si administratorë, apo çdo funksion tjetër, atëherë ata trajtohen si të punësuar. Ndërkohë edhe pjesëtarët e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me punëdhënësin privat dhe të vetëpunësuarin, të cilët sigurohen në nivel minimal për barrë-lindje, pensione dhe sigurim shëndetësor janë të përfshirë në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore nis ditën kur personi ka filluar ligjërisht veprimtarinë ekonomike dhe mbaron kur përfundon ligjërisht kjo veprimtari. Pagesat e kontributeve gëzojnë përparësi në raport me detyrimet fiskale dhe borxhet, që do të thotë se subjektet nuk mund të paguajnë detyrimet e tjera, qoftë dhe ato fiskale pa paguar kontributet e sigurimeve shoqërore.
Kategori të veçanta
Personat me të ardhura të rregullta nga pronësia, mbi 16 vjeç, paguajnë vetëm për sigurimin shëndetësor
Kursantët dhe studentët për kohën e praktikës mësimore sigurohen nga punëdhënësi vetëm për aksidentet në punë
Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, që punojnë në Republikën e Shqipërisë, sigurohen sipas rregullave të mësipërme, kur janë të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar

Punonjësit që janë të detyruar të paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore
1. Të punësuarit që punojnë me kohë të plotë, ose të pjesshme, për më shumë se 24 orë në javë, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për:
Sëmundje
Barrë-lindje
pensione
aksidente në punë e sëmundje profesionale
për papunësinë
sigurim shëndetësor
2. Të punësuarit që punojnë me kohë të plotë, ose të pjesshme, për më pak se 24 orë në javë sigurohen në nivel minimal në mënyrë të detyrueshme për:
Barrë-lindje
pensione
aksidente në punë e sëmundje profesionale
sigurim shëndetësor
3. Të punësuarit me kontratë pune më pak se një javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme pune, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme:
aksidente në punë e sëmundje profesionale
sigurim shëndetësor

Pagesat e kontributeve të të vetëpunësuarve
Bazuar ne Ligjin nr. 9136 datë 11.09.2003, ”Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 771 datë 13.11.2003, kontributet e sigurimeve shoqërore për këto subjekte mblidhen nga organet tatimore. Pagesat e kontributeve bëhen në llogari të Degëve të Tatimeve në rrethe, sipas Udhëzimit të ministrit të Financave nr. 4, datë 30.01.2006, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës për çdo tremujor të vitit. Tremujori i parë, jo më vonë se data 20 prill; Tremujori i dytë, jo më vonë se data 20 korrik; Tremujori i tretë, jo më vonë se data 20 tetor dhe tremujori katërt, jo më vonë se data 20 janar të vitit kalendarik.
Çfarë dokumentacioni kërkohet
Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore ( E_SIG 011-012/a)
Listëpagesa e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi, (E-SIG 025/A )
Pasqyra e të Punësuarve Rishtazi dhe e të Larguarve, (E-SIG 027/A )
Numri i Sigurimit Shoqëror
Pajisja me numër sigurimi Shoqëror mbështetet në Ligjin nr. 7845 datë 13.07.1994 “Për Numrin e Sigurimit Shoqëror”
Numri i sigurimit shoqëror përcakton identitetin e personit të siguruar. Punëdhënësi e përdor numrin e sigurimit shoqëror, në marrëdhënie me institutin e sigurimeve shoqërore për të identifikuar kontributet e derdhura për të punësuarit. Porositen punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, të kërkojnë pajisje me numra sigurimi shoqëror për punonjësit e pa pajisur. Organet tatimore dhe ata sigurimeve shoqërore nuk do të pranojnë listëpagesa, me mungesa të numrave të sigurimit.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›