Shkencat Sociale dhe Ekonomiku publikojnë fituesit
Shpallen emrat e studentëve që u kualifikuan në fazën e dytë të regjistrimeve në sistemin part-time
Universiteti i Tiranës ka publikuar dje listat e fituesve për sistemin part-time. Pas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për shtesa në disa nga fakultetet e vendit, janë afishuar listat me emrat e kandidatëve që u kualifikuan në fazën e dytë të aplikimeve. Sipas rregullit, Universiteti i Tiranës ka zbardhur listat e aplikantëve duke shënuar të dhënat personale të kandidatwve dhe pikët e notës mesatare të katër viteve shkollore.
Pas Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe Juridikut, dje Universiteti i Tiranës ka bërë publike edhe emrat e fituesve në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Shkencave Sociale.
Sipas udhëzimeve të Rektoratit të UT-së, të gjithë ata aplikantë të cilët do të kenë probleme me notën mesatare, apo me listat e fituesve, për shkak të gabimeve njerëzore, duhet të paraqesin kërkesën për ankesë pranë UT-së apo sekretarive të fakulteteve.
Tashmë janë mbyllur të gjitha procedurat dhe nuk ka më asnjë mundësi alternative për të gjithë ata maturantë që nuk u shpallën fitues në ndonjë nga degët e fakulteteve në vend. Pas plotësimit të katër formularëve, maturës shtetërore, shtesave për shkak të kuotave të parealizuara apo procedurave të vendosura për t’u dhënë një shans atyre që nuk fituan shkollën e lartë në sistemin me kohë të plotë, njoftohet edhe mbyllja e procedurave për sistemin part-time. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, fituesit duhet të paraqiten në degët e universitetit ku janë shpallur fitues dhe të dorëzojnë dëftesën origjinale të shkollës së mesme.
Sakaq, taksa e shkollimit për degët part-time këtë vit do të jetë në bazë të provimeve. Lista e pagesave për çdo provim është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave një muaj më parë. Sipas këtij vendimi, pagesa e taksës për të ndjekur studimet part-time do të jetë në bazë të provimeve, çka do të thotë se studentët do t’i paguajnë paratë me këste dhe jo të gjitha menjëherë.
#