E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet lista e barnave të rimbursueshme, është e shtrenjtë

Ministria e Shëndetësisë nis negociatat për të gjetur financime nëpërmjet fondeve të veçanta

Lista e barnave me rimbursim, që duhej të miratohej në dhjetor dhe të hynte në fuqi në janar, nuk ka marrë ende “OK” nga financat.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë, Komisioni i Rishikimit dhe Hartimit të Listës së Barnave u tregua “nikoqir” për të ruajtur balancat e dhënies së barnave cilësore dhe kompensimit të rritjes së çmimit të euros, financat nuk e kanë pranuar këtë version.
Madje, sipas shqyrtimit të ekspertëve të shifrave, lista e barnave për vitin 2010 është shumë e shtrenjtë dhe duhet të rishitet për ndryshime. Ky kthim mbrapsht do të thotë se lista do të qëndrojë ende në shqyrtim, duke mos kaluar fazat e përtejme për miratim dhe hyrje në fuqi. Problemet e krizës, rritja e çmimit të euros në tregun e këmbimit valutor dhe moskontrolli i lëvizjeve të shpeshta të kësaj monedhe, ka bërë që shëndetësia dhe financat të mendohen gjatë për sa i takon llogaritjes së çmimit të tregtimit të barnave.
Problemet
Listën e barnave me rimburism 2010 e ka prekur kriza. Edhe pse Komisioni i Hartimit të Listës është munduar të mbajë balanca përsëri, Ministria e Financave ka pasur objeksione.
Konkretisht duhet që fatura e shpenzimeve të reduktohet. Ndërkohë që sipas Financave, Ministria e Shëndetësisë po mundohet të negociojë, duke kërkuar gjetje të fondeve alternative për të përballuar listën e 2010-s. Ndërkaq, Shoqata e Grosistëve dhe përfaqësues të ISKSH-së ranë dakord që çmimi me të cilën do të llogaritej tregtimi i barnave do të ishte sipas raportimit të kursit mesatar të këmbimit nga Banka e Shqipërisë. Përfaqësia e Shoqatës së Grosistëve ra dakord me ISKSH-në për bashkëpunim të ndërsjellë lidhur me listën e barnave me rimbursim. Shpenzimet e rimbursimit të barnave për vitin 2010 të arrijnë në rreth 20.55 për qind të totalit të shpenzimeve të ISKSH-së për vitin 2010. Në këto përllogaritje janë marrë parasysh: efekti i ndryshimeve të çmimeve për vitin 2010 dhe kursit të këmbimit me rreth 382 milionë lekë.
Lista e barnave
I pyetur pak kohë më parë lidhur me përmbajtjen e listës së re, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, sqaroi: “Kategoritë që do të përfitojnë nga kjo listë do të jenë pacientët kronikë dhe pensionistët. Lista e re e barnave me rimbursim pritet të miratohet nga qeveria. Jemi munduar që të ruajmë balancat dhe të mos ta cenojmë atë. Kjo duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të euros. Sipas vendimit për barnat, çmimi i këmbimit llogaritej me 125”. Sipas tij, lista e re e barnave nuk pritet të ketë ilaçe tepër të shtrenjta. Por talasemikët, pensionistët, pacientët kronikë do të vazhdojnë të rimbursohen. “Sigurisht që do të veprohet edhe nëpërmjet rimbursimit spitalor. Jo të gjithë pacientët mund të përfitojnë nga lista e barnave, nga lista do të përfitojnë kategoritë e përfshira në listë deri tani”, sqaroi Vasili.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›