E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura Shtetërore, një javë konsultime për Letërsinë e Matematikën

Të gjithë maturantët e këtij viti do të kenë një javë konsultime të lira me mësuesit e tyre për t‘u parapërgatitur për dy provimet e lirimit, atë të lëndës së Gjuhës e Letërsisë, por edhe të Matematikës.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit konfirmojnë faktin se për të orientuar të rinjtë sa më mirë përpara këtyre provimeve do të krijohet mundësia që mësuesit të vihen në dispozicion të tyre dhe t‘i konsultojnë lidhur me përgatitjet paraprake për të cilat gjithsecili duhet të ketë njohje.

Kështu, për të dyja provimet e detyruara është përcaktuar që zhvillimi i konsultimeve do të bëhet menjëherë sapo të mbarojë viti shkollor. Kjo edhe për faktin që mësuesit e lëndëve të mos mbingarkohen gjatë sezonit shkollor. Për të gjithë nxënësit bashkë është vendosur që ndërmjet datave të provimeve të zhvillohen një javë konsultime si për Gjuhë e Letërsinë, ashtu edhe për Matematikën. Një praktikë e tillë është ndjekur edhe një vit më parë dhe ka rezultuar efektive, sipas përfaqësuesve të MASH-it. Po kështu bëhet e ditur se konsultime apo dhënie orientimesh për provimet e maturës do të ketë edhe për të gjitha lëndët me zgjedhje, që këtë vit janë shtuar në raport me një vit më parë.

"Për lëndët me zgjedhje, periudha e përgatitjes me mësuesit do të zhvillohet e grupuar sipas preferencave të përzgjedhura nga vetë maturantët", saktësojnë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë që gjatë kësaj faze mësuesit e lëndëve përkatëse do të orientojnë maturantët në lidhje me temat që duhet të mësojnë. Kjo, mbështetur në programet orientuese që janë hartuar nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), të cilat tashmë janë shpërndarë nëpër të gjitha shkollat e vendit, si dhe gjenden të afishuara për të gjithë të interesuarit në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Arsimit.

Pas dorëzimit të Formularëve A1 dhe A1Z nga komisionet shkollore drejt drejtorive arsimore rajonale dhe depozitimit të tyre pranë AVA-s do të nisë edhe shpërndarja e Formularit A2, i cili në formë dhe në përmbajtje nuk ka ndryshuar nga modeli i një viti më parë. Ndryshimi i vetëm është shtimi i dy koeficienteve për dy lloje shkollash.

Përfaqësuesit e MASH-it kanë garantuar se deri më datën 1 prill ky formular do të jetë gati për t‘u shpërndarë për të rinjtë që këtë vit do të kandidojnë për të studiuar në universitetet publike në vend, por edhe për ata që do të zgjedhin të shkojnë për studime jashtë vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›