E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për njeri tjetrin

Dr. Zamira Çavo

Shqipëria dhe tashmë Kosova e pavarur, nuk kanë më pengesa për të krijuar një hapësirë të re ekonomike, e cila ti japë frymëmarrje biznesit, rritjes ekonomike e natyrisht zhvillimit të vendeve tona.
Më së pari mendoj se dy vendet tona kanë nevojë për njeri tjetrin, jo thjeshtë dhe vetëm se jemi një hapësirë shqipfolëse. Nevojat e bashkëpunimit vijnë nga domosdoshmëria e integrimit tonë në ekonominë e sotme globale, nga nevojat historike që rajoni të gjejë më së fundmi rrugën e vet në bashkimin europian. Sigurisht që ky bashkëpunim është i nevojshëm me secilin vend të rajonit, por para se gjithash është i domosdoshëm ne raporte bilaterale sepse lehtësohet nga faktorë të ndryshëm që kanë në thelb afërsinë gjeofizike, psikologjike, gjuhësore e nacionale.
Një bashkëpunim i tillë, i vendosur në kontekstin e bashkëpunimit rajonal do të sigurojë mbështetjen politike dhe financiare të Bashkimit Evropian.
Të dy vendet tona duhet të jenë partnerë të ngushtë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Dhe kjo nuk është thjeshtë dëshirë , madje as ndonje “argument”për tu përdorur për Shqipërinë e madhe. Partneriteti ynë ekonomik, buron nga nevojat që lindin në ekonominë e sotme globale. Po përmend vetëm disa drejtime.
- Vendet tona kanë nevojë për investimet e huaja. Pa këto investime nuk mund të sigurojmë dot as teknologjinë bashkëkohore, as vende të reja pune dhe konsegualisht as rritje të prodhimit vendas.
-Krijimi i një tregu të gjerë ekonomik është sigurisht disa herë më atraktiv për këto investime se sa tregjet tona të veçanta.
- Projektet e përbashkëta lehtësojnë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare por dhe garantojnë një zbatim më të suksesshëm.
- Me zhvillimin e vrullshëm të shkëmbimit në ekonominë globale, është e kuptueshme nevoja e madhe e bashkëpunimit në fushën e tregtisë e të financave, sepse para se të kërkojmë partnerë në largësi gjeografike, kemi një mundësi dhe domosdoshmëri, të krijojmë partneritet me vendet fqinje, aq më tepër, kur ky vend është një hapësirë që garanton komunikimin mes njerëzve .
- Të dy vendet së bashku duhet dhe mund të lobojnë më mirë për ti hapur rrugë investimeve , për tu anëtarësuar në organizma ndërkombëtar dhe për të përfituar nga marrëveshje kontraktuale.
Kur flas për domosdoshmërinë e një bashkëpunimi bilateral, duhet gjithnjë të bëjmë kujdes, që ky bashkëpunim të lehtësojë dhe përshpejtojë integrimin e vendeve tona në Europë, ndryshe mund të rrezikojmë të krijojmë një karantine moderne tregtie.
Është fakt se deri më sot bashkëpunimi ynë ekonomik nuk ka qenë efektiv, madje do të thosha pa ndonjë peshë të veçantë në ekonomitë e të dy vendeve. Arsyet janë të njohura.
Investimet nga të dy vendet dhe për të dy vendet, janë në nivele mjaft të ulëta.
Duke njohur domosdoshmërinë objektive të bashkëpunimit bilateral, mendimi shkencor akademik duhet ti paraprije këtij bashkëpunimi dhe zhvillimi. Duke folur gjithnjë me terma global, dija njerëzore dyfishohet në me pak se 8 vjet! Kjo është rruga e re e ekonomisë botërore. Ekonomia e dijes është e ardhmja e botes. Dhe në këtej duhet te nisemi.
Por më pare duhet të reflektojmë. .Kosova ka përpara një periudhë të vështirë tranzicioni, e cila sigurisht nuk mbaron me një dekade. Vendi ynë është ende në këtë periudhë. Por Kosova ka një shans më shumë për të mos përsëritur gabimet tona. Dhe gabimet tona fillojnë që në mosgjetjen e rrugëve për të mos lejuar largimin e trurit nga vendi, që nga mungesa e projekteve që i hapin rrugë investimit të parave të emigrantëve , e mbi të gjitha, nga bërja e reformave pa infrastrukturën e duhur ligjore administrative. Shqipëria ka bërë shumë gabime, një pjesë për shkak të mosnjohjes së dukurive që shoqërojnë ekonominë e tregut dhe mjaft të tjera ,si pasojë e mungesës së një bashkëpunimi të mendimit shkencor me atë politik.
Prandaj mendoj se s’ka pse eksperimentohet në projekte të dështuara.
Momentalisht gjendja ekonomike e të dy vendeve tona është e pakënaqshme, besoj jam e moderuar në këtë term..Dhe një bashkim forcash në shkencë me një mirëkuptim politik , do të mund të na çojë pashmangësish në rrugën e zhvillimit reciprok.
Për të gjitha këto mendoj se është e domosdoshme të ndërgjegjësojmë opinionin publik si në Shqipëri dhe në Kosovë. Ky opinion duhet të dijë dhe të besojë se sa i nevojshme është ky bashkëpunim mes dy vendeve tona. Tre, besoj se janë faktorët që garantojë suksesin ekonomik: mendimi shkencor, vullneti politik dhe opinioni publik. Nëse i harmonizojmë këta faktorë vendet tona do të kenë ritme të tjera zhvillimi. Sigurisht më të larta.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›