E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura Shtetërore, procedura e vlerësimit të testeve



Jonida Tashi

Bazuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore, vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës/kandidat. Po ashtu, çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga maturantët në provime për çdo kërkesë, do të vlerësohet me pikë, sipas skemës së vlerësimit. Sipas Rregullore së Maturës, maturantët do të vlerësohen me zero pikë, nëse do të japin përgjigje të gabuar ose nuk japin asnjë përgjigje. Ndërkohë që pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA do të shpall skemën e vlerësimit të testit.
Vlerësuesit e jashtëm
Testet e provimit të Maturës do të vlerësohen nga vlerësues të jashtëm. Vlerësues i jashtëm për provimet e Maturës është çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi. Për këtë, drejtori i AVA-s emëron vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre. Zgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit dhe numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. Çdo vlerësues duhet të firmos në çdo test që vlerëson. Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit te testeve te AVA trajnon vlerësuesit e testeve. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga AVA dhe miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.
Çdo test dy vlerësues
Çdo test i Maturës Shtetërore do të vlerësohet nga dy vlerësues. Në rast se midis dy vlerësuesve do të ketë ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës do të caktojë një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit do të jetë përfundimtar. Për këtë MASH-i do të ngrejë grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme do të monitorojnë testet e vlerësuara. Këto grupe gjithashtu do të shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që do të raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Po ashtu, për të evituar problemet në procesin e vlerësimit të provimeve, MAS-i ngre komisione të posaçme (KOPOTED), që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Ndërkohe që për të gjitha parregullsitë që konstaton, secili KOPOTED informon MASH-in, i cili merr vendimin përkatës. Procesi i vlerësimit të testeve do të mbikëqyret nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore. Ndërsa shpallja e rezultateve sipas Rregullores së Maturës, do të bëhet jo më shumë se pesëmbëdhjetë ditë, pas çdo provimi të Maturës.
Përgatitja e testeve
Për të gjitha lëndët e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore në sesionin e parë veprohet sipas kësaj procedure: DZHK-ja në MASH dërgon zyrtarisht në AVA programet orientuese lëndore të hartuara nga komisionet e ngritura sipas nenit 8 të kësaj Rregulloreje. Pas marrjes së programeve orientuese, drejtori i AVA miraton ngritjen e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Me propozimin e specialistëve lëndorë të AVA ai emëron anëtarët e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Ata angazhohen në punë pas nënshkrimit të kontratave të posaçme, të cilat vënë si kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit. Specialistët lëndorë të AVA-së trajnojnë çdo anëtar të grupeve lëndore të hartimit të testeve, pas emërimit të tyre. Çdo grup lëndor harton fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa 10(dhjetëfishi) i kërkesave që do të përmbajë testi. Pilotimi i njohjes së karakteristikave të kërkesave, procedurave logjistike dhe administrative për realizimin e provimit kryhet nga fondi i kërkesave të hartuara nga çdo grup lëndor, nën drejtimin e specialistit lëndor. Përzgjedhja e testit të lëndës bëhet nga specialistë të caktuar prej Ministrit të Arsimit, që emërtohen përgjegjës të testit përfundimtar (PTP), në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit(KOEPS), brenda ambienteve të izoluara të AVA. Menjëherë pas përzgjedhjes së testit kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›