E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, sot provimi i parë

Nxënësit do të njihen me rezultatin e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pas dy javësh


Çdo pyetje e testit t'i nënshtrohet vlerësimit të dyfishtë. Në raste mospërputhje rezultati caktohet nga një vlerësues i tretë


Mijëra maturantë në gjithë Shqipërinë ulen sot në banka për të dhënë provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore 2010, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.


Testi i provimit është hartuar nga specialistë të AVA-s, të cilët ndenjën plotë tetë ditë të ngujuar në ambientet e kësaj agjencie, me qëllim ruajtjen e sekreti të testit.


Sot, çdo pjesëmarrës ka përballë një test me 25 kërkesa, nga të cilat 13 me përgjigje alternative dhe 12 me zhvillim, për zgjidhjen e të cilave kanë në dispozicion rreth dy orë e 30 minuta.


Pas zhvillimit të provimit, testet do të dërgohen nën masa të rrepta sigurie në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani" në Tiranë, ku AVA do të kryejë inventarizimin dhe shpërndarjen e tyre në katër qendra vlerësimi: në Elbasan (në godinën e shkollës "Qemal Stafa"); në Shkodër, (në godinën e shkollës "Jordan Misja"); në Fier, (në godinën e shkollës "Naim Frashëri") dhe në Tiranë (në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani").


Vlerësimi


Vlerësimi i çdo përgjigjeje të testit do të bëhet mbi bazën e një skeme të hartuar paraprakisht nga AVA, specialistët e kësaj agjencie kanë ndërtuar një tabelë, mbi bazën e të cilës do të bëhet konvertimi i përgjigjeve të sakta në pikë.


Këto, më pas, do të ekuivalentohen në notë. Për të shmangur vlerësimin objektiv të testeve MASH ka vendosur që çdo pyetje e testit t'i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë. Kështu vlerësuesit, pasi të marrin në dorëzim testet, do të konfirmojnë saktësinë e tyre dhe do të bëjnë kodifikimin me numra arabë, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë.


Në raste kur do të vërehet mospërputhje midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit do të përcaktojë një vlerësues, i cili do të bëjë edhe vlerësimin përfundimtar. Ndërsa, për ato fletë provimesh, të cilat do të evidentohen si të dyshimta, MASH do të ngrejë komisione të vçanta që do të shqyrtojnë rast pas rasti të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve dhe me parregullsi. Për të gjithë këtë proces, vlerësuesit kanë në dispozicion rreth 14 ditë, në fund të të cilave duhet të publikojnë rezultatet.


Mosnjohja e rezultatit


Provimi do të konsiderohet i pavlefshëm në rast se nxënësi ka përdorur laps në plotësimin e testit. Po kështu nuk do të njihet rezultati në rast se kandidati është larguar nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit dhe ka dorëzuar testin pa u vendosur barkodi.


Të pavlefshme do të konsiderohen edhe shkrimet ose dëmtimet e kodit të sekretimit (barkodin) të vendosur në test, si dhe rastet kur është dëmtuar testi (si p.sh., palosur, zhubrosur, grisur apo janë vendosur shenja të dallueshme dhe të vçanta) ose nuk është dorëzuar testi.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›