E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i Ramës i pamundur ligjërisht

16/04/2009  Ligjërisht ngritja e komisioneve hetimore ndalohet 4 muaj para zgjedhjeve

Xhaferri: Do të hetojmë kreun e Bashkisë për shkelje ligji dhe korrupsion

Kërkesa e mazhorancës parlamentare për nisjen e një hetimi parlamentar ndaj kreut të Bashkisë Edi Rama do të mbetet një deklaratë paraelektorale. Kjo pasi ligji “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore” e ndalon një nismë të tillë në prag të përfundimit të mandatit. “Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”, - thuhet në pikën 6 të nenit 4 të këtij ligji. Në këtë mënyrë, duke qenë se zgjedhjet për kuvendin e ardhshëm do të zhvillohen më 28 qershor, afati minimal për ngritjen e një komisioni hetimor mund të ishte muaji shkurt. Ndërkohë që Partia Demokratike duket se po formalizon kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të hetojë dhënien e lejeve të ndërtimit në kryeqytet nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferri gjatë një deklarate për shtypin të mërkurën në mesditë tha se në mbledhjen e datës 12 prill Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës nga 30 projekte për punë publike dhe jopublike 19 prej tyre ia ka dhënë studios “Ateliera-4” të drejtuar nga Alban Eftimi, ish-shef i urbanistikës në bashkinë e kryeqytetit dhe aktualisht përfaqësues i Edi Ramës në KRT. “Kjo nuk është vetëm shkelje ligji, korrupsion dhe praktikë monopoliste, por është më tepër se kaq, një praktikë e pastër mafioze e dhënies së shërbimeve publike. Ndaj, bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit, ne do të ngremë një komision hetimor, që tu themi stop praktikave të pastra mafioze dhe përgjegjësit të shkojnë para ligjit”, - tha deputeti Xhaferri, njëkohësisht sekretar për marrëdhëniet me publikun në PD. Në vitin 2003 kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama u hetua nga një komision hetimor parlamentar, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorim detyre dhe me fondet publike. Fillimisht kjo kërkesë u hodh gjatë seancës parlamentare një javë më parë nga deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka dhe u mbështet dy ditë më vonë edhe nga zëdhënësi i PD-së Aldo Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›