E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensione suplementare më të larta për profesorët me tituj

16/04/2009  Masa e pensionit që do përfitojnë do të jetë katër herë më e lartë se pensioni bazë i pleqërisë

Stafet akademike me tituj dhe grada shkencore do të përfitojnë pension suplementar, masa e të cilit do të jetë disa herë më e lartë se ajo që jepet aktualisht. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është aprovuar vendimi që do të lejojë një sërë stafesh akademike universitare të trajtohen me pensione më të larta sapo të plotësojnë kriteret bazë të përfitimit.

Ministri i Arsimit Fatos Beja menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë ka zbardhur dhe përmbajtjen e vendimit në lidhje me kategoritë që do të kenë të drejtë të përfitojnë këtë lloj pagese. Kështu, është vendosur që për personelin akademik me titullin shkencor “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” ose “Drejtues kërkimesh” dhe “Mjeshtër kërkimesh” që të gjithë të marrin një pension suplementar në një masë të konsiderueshme, masë e cila është propozuar të jetë katër herë me lartë sesa pensioni aktual i pleqërisë që jepet për këto shtresa bazuar në ligjin e sigurimeve shoqërore. Vendimi përcakton gjithashtu se të gjithë profesorët kanë të drejtë të përfitojnë këtë pension shtetëror suplementar, duke përfshirë këtu jo vetëm ata që nuk kanë mundur të japin një kontribut suplementar, por dhe atë kategori që është në funksion sot dhe do të kontribuojë dhe në të ardhmen me një përqindje, siç veprohet me të gjitha rastet e pensioneve suplementare. “Ky është një vendim i shumëpritur, sipas kontakteve që unë kam pasur me profesoratin, me shumë profesorë të shquar, të cilët me dekada na kanë dhënë mësim të gjithëve, brezave të ndryshëm shqiptarësh, të cilët janë në prag të pensionit, ose përfitojnë ndërkohë që janë në pension”, - ka pohuar ministri Beja.

Pas komunikimit të vendimit të marrë për trajtimin e stafeve akademike me pensione tashmë më të larta, ministri ka kërkuar edhe një herë që studentët të nxitojnë për marrjen e kartave të identitetit. Këto të fundit do të jenë vendimtare për realizimin e një sërë veprimtarish universitare. “I ftoj përsëri të gjithë studentët që nuk kanë një pasaportë për jashtë shtetit të përfitojnë nga mundësia që kanë, të shkojnë pranë fakulteteve ku studiojnë, të paguajnë vetëm 200 lekë dhe të marrin kuponin për të bërë kartën e identitetit. Është mirë që studentët të ushtrojnë detyrën e tyre të qytetarit, duke pasur një kartë identifikimi, që është e domosdoshme për çdo qytetar në të gjitha vendet evropiane. Kjo do të ishte njëkohësisht edhe një kontribut individual, që si qytetarë të shkojmë të gjithë në zgjedhje", - ka përfunduar ministri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›