E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, ja rregullat për të kaluar provimin e letërsisë

Rreth 33 mijë maturantë japin sot provimin e letërsisë, i pari i detyrueshëm i Maturës Shtetërore. 

ZIRINA LLAMBRO

Shpërndarja e testeve ka përfunduar tashmë sipas grafikut të caktuar nga Ministria e Arsimit në të gjithë vendin. Provimi nis në orën 10.00 dhe do të zgjasë 2 orë e gjysmë. Nxënësit do të kenë përpara tezat me 25 pyetje, 13 prej të cilave me alternativa dhe 12 me zhvillim. Nga sa bën me dije MASH të rinjtë duhet të jenë në shkollë një orë para dhe të pajisur me dokument identifikimi. Do të jenë rreth  4.300 mësues në të gjithë vendi që do të mbikëqyrin klasat me nxënës. Ministria e Arsimit ka përcaktuar listën me administratorët për secilën shkollë. Si rregull mësuesit do të monitorojnë klasa me nxënës që nuk i përkasin shkollës ku japin mësim. Drejtoritë arsimore në secilin rreth kanë bërë gati listat. Pas përfundimit testet do të korrigjohen brenda 10 ditësh  dhe rezultatet do t’u jepen maturantëve. Korrigjimi do të bëhet në katër qendra përkatësisht në Shkodër, Tiranë, Elbasan e Fier. Edhe këtë vit pritet që Ministria e Arsimit të publikojë “Çelësin e provimit” me përgjigjet e sakta. Në këtë mënyrë maturantët do të bëjnë paraprakisht llogaritë për pikët që kanë marrë. Për t’u vlerësuar me notën maksimale ata duhet të grumbullojnë 50 pikë. Por do të jenë korrigjuesit e testeve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit që do të caktojnë edhe pragun për ta marrë notën pesë.
Penalizimet
Nxënësit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave gjatë provimit. Në rast se kapen duke kopjuar, ata përjashtohen automatikisht nga procesi i Maturës Shtetërore, duke humbur për një vit të drejtën për të nisur një shkollë të lartë. Gjithashtu ndalohet komunikimi me kandidadët e tjerë, celularët apo shënimet në fletën e provimit. Të forta janë rregullat edhe për ata nxënës që mund të mos ndihen mirë gjatë provimit. Në rast se për një arsye apo një tjetër ata duan të dalin nga klasa, pasi kanë probleme me shëndetin, automatikisht përjashtohen nga provimi. Për rrjedhojë humbin edhe shansin për të konkurruar në universitet pas daljes së rezultateve të provimit, çdo maturant që do të jetë i pakënaqur nga vlerësimi i testit, do të ketë mundësi të tërheqë një kopje të testit në qendrën e vlerësimit kundrejt një tarife prej 400 lekësh. Në këtë mënyrë, çdo kandidat do të shikojë pikët që ka marrë dhe mënyrën sesi janë vlerësuar përgjigjet. Vitin e kaluar pati shumë polemika mes maturantëve dhe Ministrisë së Arsimit për mënyrën sesi u vlerësuan pyetjet me zhvillim. Madje pas protestave të shumta para Ministrisë së Arsimit, u kërkua ridhënia e këtyre provimeve. Por MASH kundërshtoi këtë kërkesë.

Rregullat gjatë provimit

• Ndalohen celularë
• Ndalohet ndërrimi i vendeve të përcaktuara nga administratori
• Nxënësit duhet të kenë vetëm stilolapsin dhe certifikatën personale në tavolinë
• Ndalohet largimi nga mjedisi i provimit
• Nuk duhet dëmtuar bar-kodi
• Ndalohet shfletimi ose shënime në materialet e provimit
• Kandidati paraqitet në shkollë 1 orë para fillimit të provimit
• Sistemimi i çdo nxënësi bëhet një nga një, sipas rendit të hyrjes së tyre
• Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›