E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjesia e mbrapshtësisë



Nga Artan Mullaj

Shumëkush ka provuar ndjesinë e mbrapshtësisë në Shqipëri: ndjesinë këmbëngulëse se gjithçka shkon mbrapsht e do të shkojë mbrapsht në këtë vend. Është diçka si një gjendje e trazuar psikologjike (për të mos thënë reaksion shpirtëror), që nuk mund të shpjegohet pa marrë parasysh ambjentimin dhe aprovimin e kobshëm të njerëzve me ngjarjet e këqija të ditës…..

Shpërthen Gërdeci, vriten minatorë, ndodhin përmbytje, varfërohen njerëz, ndodhin çudira, por asgjë nuk ndryshon dhe ndjesia e mbrapshtësisë është aty, e pranuar si një konstatim, në atmosferë, përzier me klimën e pistë; pastaj shkelet Kushtetuta, ndërpritet energjia, shteron uji, ndotet ambjenti, vidhen pasuritë, vidhen zgjedhjet, shkatërrohen normalitete, shpresa, ardhmëri, përpjekje dhe përshtypja e përsëritur se një mallkim i padukshëm nderet aty, mes jetëve të thjeshta e të trishta të shumicës.. për të na kujtuar se ndjesia është aty, e pandryshueshme si shpejtësia e dritës.

Falë kësaj ndjesie dhe këtij ambjentimi, duket sikur edhe ndodhitë e thjeshta të ditës i shoqëron tjetër gjë, jo logjika civile e gjërave, por një mister, një djallëzim, një mosshpjegim, një tersllëk, një zallahi e zezë kundër arsyes që ndikon jetën shqiptare në çdo ambjent, koncept, zhvillim, përsiatje, përpëlitje dhe në çdo aventurë…gjithashtu

Gjithçka duket qartë, shkoqur, dhimbshëm e zhgënjyeshëm; njëlloj si më parë… Fabrika që digjen nga instalimet elektrike jashtë sigurisë, me tela si fijet nervore të një të sëmuri në pikën e fundit, por edhe shtëpi që digjen me gjithë gjallesat brenda, sisteme arsimore që nuk sjellin dije as mundësi, drejtora pa shkollë, mësues pa diplomë, profesorë seksomanë, shpesh edhe hajdutë, drejtues më shumë militantë se mediokër, projekte krimesh financiare.. e njerëzore, vrasje misterioze në sfonde ngjarjesh misterioze, asfalte të prishura pa u inauguruar akoma, infrastruktura të shkatëruara, qytete katrahurë, plehra të rrezikshme dhe higjinë imagjinare, ndërtime masive pa leje, pa fantazi, pa respekt për ambjentin publik dhe pastaj dështime prodhimesh bujqësore, nga ana tjetër, prodhime të rrezikshme dhe ushqime të rrezikshme, dështime të tjera, personifikime të tjera dështimesh të tjera fillim e mbarim, në skajet e çdo realiteti, në limitet e çdo perceptimi dhe iluzioni.

Pasojat pra janë aty, në dritën e diellit

Shpesh duket sikur mungojnë shkaqet e këtyre pasojave dhe mungon shpjegimi i mungesës së tyre.. Nganjëherë shkaqet shfaqen virtualisht, por në një kufi të ri pamundësie interpretimesh dhe shpjegimesh.. Kjo pamundësi është një dhimbje kolektive.. Për shumë qytetarë ekziston një dilemë. Përse gjithë kjo mbrapshtësi? Komuniteti është kalitur me instinktin e barazizë; ç’ka i shtyn turmshëm njerëzit të krahasohen, dhe këtu fillon dhimbja…e re. Sepse pasqyra e ndërgjegjes kombëtare është hakmarrëse…jemi thjesht një pasojë.. jemi fatkeqë, jemi të dështuar, nuk mund të sistemojmë jetën tonë, ta rregullojmë atë dhe nuk jemi aq të civilizuar sa të tjerët, dhe fqinjët na shikojnë si inferiorë..

Shkaqet nuk duken, nuk dihen..,përgjigje nuk ka. Kulturat fqinje janë modele sensibilizuese dhe shtytëse, por në to rrezëllen edhe sarkazma.. Në përballjen me ta, paaftësia jonë shndrit lakuriq.. S’na mbetet veç të jemi krenarisht të mohuar dhe sidomos krenarisht të paaftë për të rregulluar punët tona, sistemet tona, investimet tona, edukatën tonë, civilizimin tonë, politikën tonë dhe jetën e të vegjëlve tanë

Dhe ky realitet provokon pikërisht atë, mbështjellësen aurorë të pasojave të mizerjes, ndjesinë e trishtë, ndjesinë e ftohtë, ndjesinë e pafuqisë, pikërisht atë, ndjesinë e hidhur të mbrapshtësisë

Shumëkush mund të supozojë se katrahura monumentale në këtë vend është pasojë e rastit, e fatit të keq që e yshti këtë komb të jetë i zvarritur në një histori të vështirë tranzicioni..,. ku ka patur pak heronj e ca më pak mendje të shquara.. Të tjerët fantazojnë alegori dhe metafora të përsëritura për të kuptuar shkaqet e mizerjes popullore, dhe kushedi, ata që mbetën, mbase besojnë te kundraligji, te hapësirat e abstraksionizmit spekulativ të marronistëve, te pasojat e pasojave që ishin të tilla qysh në vigjilje…

Por mund të supozohet gjithashtu se shkaku mund të jetë vetë pasoja, vetë njeriu shqiptar, politika shqiptare dhe sidomos perceptimi shqiptar.. Por a mund të ketë njeriu një rol kaq sublim sa të kalojë në këtë lloj vetëflijimi sureal duke i shkaktuar vetes fatkeqësi, mbrapshtësi dhe ndjesi të tilla inferioriteti bri fqinjëve, duke qenë njëherësh edhe shkak, edhe pasojë?. Nëse po, mund të guxojmë të vetëquhemi të paparashikueshëm dhe të papërsëritshëm njëherësh…
A është pushteti politik shkak i qametit, apo është pasojë e qametit?
Nëse është shkaku, çështja është e thjeshtë. Por a mund t’i drejtojmë sot gishtin e madh edhe të vogël Sali Berishës? Kryeministri mund të përpëlitë sytë e të thotë, ej, unë jam pasoja, shkaku janë ata.. që më zgjodhën, ata që kanë ndjesinë e mbrapshtisë kudo që janë.
Por, nëse pushteti është pasojë, shkaku ose mungon, ose është autoriteti që zgjedh, zgjedhësit vetë, elektorati, bastioni…sovrani, pikërisht vuajtësit e pasojave, shpirtthjeshtët, të shpërfillurit, të ndëshkuarit, të gjithë.. pra arsyetimi ynë hyn në një hulumtim vicioz. Si në pëshpërimat helenë të tragjedive, rolet ndërrohen magjishëm, kur shkaku shndërrohet në një pasojë shëmbëlltyrë mbrapshtësie dhe anasjellas.. Por, a janë zgjedhësit edhe shkaku, edhe pasoja e shëmtuar e politikës së ditës?
Këtu ndjesia e mbrapshtisë duhet zëvendësuar me mbajtjen e frymës.
Janë sigurisht! Është një kurth filozofie të re… Vërtet, shkaku janë ata. Njerëzit.. Politika e keqe dhe mbrapshtësia nuk vjen rastësisht. Liderët zgjidhen. Shkak është papërgjegjshmëria në dhënien e pushtetit.
Shkak është pushteti i dhënë gabim!

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›