Matura, ndryshojnë rregullat për maturantët e vjetër
Ndryshojnë rregullat e Maturës për maturantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para këtij viti shkollor dhe që i janë nënshtruar më parë provimeve. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur së fundi një urdhër të ri për këta kandidatë, në të cilin përcaktohet shtimi i dy rregullave të reja në rregulloren e Maturës Shtetërore 2011. Më konkretisht, kreu i Arsimit ka vendosur që te neni 27 i rregullores së Maturës, të shtohen dy paragrafë 27/4 dhe 27/5. Sipas paragrafit 27/4, maturantëve të para vitit 2011 nuk u njihet rezultati i provimit të lëndëve me zgjedhje, në rast se në vlerësimin e shkallëzuar kanë marrë notën nën 4.5. Këta maturantë duhet të përcaktojnë lëndën/lëndët me zgjedhje që duhet të japin duke plotësuar formularin A1 të Maturës Shtetërore 2011, kur nuk kanë fituar asnjë nga provimet e detyruara (D1 dhe D2) dhe formularin A1Z, kur kanë fituar një nga provimet e detyruara (D1 ose D2) . Ndërsa sipas paragrafit 27/5, maturantët e Maturës Shtetërore 2010 që nuk kanë marrë një ose dy provime të detyruara, por kanë marrë një ose dy provime me zgjedhje, dhe kërkojnë t’i bartin ato, duhet të plotësojnë formularin A1Z. Këtë vit, sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit për plotësimin e formularit A1Z, lëndët me zgjedhje mund të rijepen, por dhe mund të mbarten njëra ose të dyja, sipas dëshirës së kandidatit. Për ata që nuk duan t’i rijapin provimet me zgjedhje, në hapësirat bosh të formulari A1Z duhet të shënohet emri i lëndës (lëndëve) me zgjedhje që do mbartet (mbarten) dhe viti kur është dhënë provim kjo lëndë. Nëse lënda (lëndët) që do të bartet (barten) janë dhënë provim më shumë se një herë, atëherë në formular duhet të shënohet viti i fundit kur është dhënë provim kjo lëndë. Për shembull, nëse do bartni lëndën Fizikë, të cilën e keni dhënë provim dy herë në Maturën Shtetërore 2007 dhe Maturën Shtetërore 2008, atëherë në formular shënoni vitin 2008. Por duhet të bëni kujdes dhe të shënoni patjetër vitin, përndryshe rezultati nuk bartet. Kurse nëse keni bartur dy lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve të mëparshme, kjo pikë nuk plotësohet. Nëse keni bartur vetëm një lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, 2009, 2010, atëherë në listën e lëndëve me zgjedhje qarkoni vetëm një lëndë me zgjedhje. Nëse lënda që keni bartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni në listën e lëndëve me zgjedhje nuk duhet të jetë gjuhë e huaj. Sipas nenit 27 të rregullores së Maturës 2011, të gjithë maturantët/kandidatët që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008, 2008 - 2009 dhe 2009-2010 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të universiteteve publike të vendit (e
vërtetuar nga APRIAL dhe dekanatet përkatëse), për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë vetë ridhënien e tyre. Në
përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë merren koeficientet e këtij viti. Në rastet kur kandidatët dëshirojnë të rijapin provimet me zgjedhje, i rijapin ato në shkollat e mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën e Pjekurisë dhe mandat-pagesën e një tarife, masa dhe modalitetet e të cilës bëhen të njohura nga MASH. Në rast se maturanti/kandidati e ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë të caktuar në
provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i arritur në vitin e fundit.