Privatizimi i Albpetrol, investitorët në pritje të formulës së shitjes
Mungesa e një formule se si do të shitet kompania e shfrytëzimit të naftës, Albpetrol, ka ngrirë interesin e investitorëve për blerjen e tij. Aktualisht qeveria ka proceduar një proces shitje të Albpetrol, por ende nuk ka një paketë ligjore për mënyrën e shitjes së tij dhe për më tepër të një formule që tregon saktësisht se, çfarë do të shesë qeveria. Albpetrol aktualisht është kompania e shtetit, që ka të drejtën e shfrytëzimit dhe nxjerrjes së naftës në vend dhe gjithashtu ka edhe asete të tjera që lidhen me aktivitetin e kompanisë. Investitorët, nga ana tjetër, janë të interesuar për të pasur pronësinë mbi Albpetrol në këto kohë, kur çmimet e naftës janë në rritje, por qeveria ende nuk e ka shpallur qëndrimin e saj për formulën e shitjes. Në shërbim të procesit të privatizimit, qeveria shqiptare ka kontraktuar kompaninë amerikane “Patton Boggs”, e cila po bën vlerësimin e asetëve dhe është e ngarkuar për marketimin e kompanisë në tregun ndërkombëtar. Kompania shtetërore e naftës zotëron asete me vlerë kontabël, rreth 420 milionë dollarë, sipas burimeve zyrtare të kompanisë. Numri i aksioneve të Albpetrol është 10,200,000, me kapital 100% shtetëror dhe me vlerë asetesh rreth 420 milionë dollarë. Nga ana tjetër, Albpetrol sh.a. ka nënshkruar marrëveshje-hidrokarbure për vendburimet e veta me kompani të huaja. Nga analizimi i këtyre marrëveshjeve dhe njëkohësisht edhe nga zhvillimi i sektorëve të shërbimit të shoqërisë, shteti do të përcaktojë mënyrën e privatizimit të shoqërisë. Kompania Albpetrol ka një licencë pa afat, për shfrytëzimin e disa vendburimeve të naftës. Disa prej puseve, Alpetroli ua ka transferuar kompanive private, përmes kontratave koncesionare. Përveç naftës që nxjerr vetë, Albpetroli përfiton edhe rentën minerare. Bëhet fjalë për një pjesë të prodhimit që realizohet nga kompanitë private të nxjerrjes së naftës. Aktualisht "Albpetrol" sh.a ka një fond prej më pak se 1700 pusesh në prodhim. Sipas kontratave që Albpetrol ka nënshkruar me kompanitë e huaja, aktualisht nëntoka shqiptare shfrytëzohet nga kompanitë "Banker's Petroleum", "Sherwood", "Wek", "Stream oil" etj. Gjeografia e puseve që janë dhënë dhe do t'u jepen këtë vit kompanive të huaja është e gjerë. Zona naftëmbajtëse dhe naftënxjerrëse e Marinzës, ku kompania e huaj "Banker's" ka vite që operon, brenda një periudhe të shkurtër do të jetë e gjitha nën administrimin e saj.