E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, ngujohen hartuesit e testit të letërsisë

Nis sot ngujimi një javor për hartuesit e testit të provimit të Letërsisë. Përpos kësaj, nga sa është përcaktuar edhe në rregulloren e maturës, për pesë ditë me radhë në ambientet e shkollave, mësuesit do të ofrojnë konsultime për provimet me detyrim. Me anë të tyre, nxënësit kanë edhe një mundësi të fundit për të marrë përgjigje lidhur me paqartësitë që kanë. 

zirina llambro

Konsultimet janë falas dhe në vartësi të dëshirës së maturantëve. Për to MASH ka përcaktuar periudhën 2-7 qershor. Përkundër etheve të maturantëve, edhe në Agjencinë e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve në Tiranë, janë krijuar të gjitha kushtet për 17 specialistët që janë përzgjedhur të jenë pjesë e këtij procesi. Pa asnjë kontakt me botën jashtë, ata do të qëndrojnë aty deri më 9 qershor. Eshtë kjo data kur më shumë se 33 mijë maturantë do të japin provimin e parë të detyrueshëm (Letërsinë). Hartuesit e testeve kanë marrë parasysh rregullat e forta, të cilave do t'u nënshtrohen për 7 ditë me radhë. Brenda AVA do të hanë, pinë e flenë. Për ta është e  ndaluar rreptësisht mbajtja e telefonave celularë. Ndërkaq, linjat e telefonisë fikse të AVA janë prerë veç tyre edhe ato të internetit. Në sajë të marrëveshjes me Ministrinë e Brendshme, efektiva blu do të jenë vigjilentë 24 orë për të penguar daljen e të "ngujuarve", por edhe vizitorë të mundshëm në AVA. Në dispozicion të specialistëve janë vënë disa dhoma të përshtatura me kushtet e nevojshme për një qëndrim një javor. KOEPSI (Koha e ekspozimit potencial të sekretit) nis me ritmet normale nesër.
Testi final
Nga fondi prej 1750 pyetjesh që disponojnë, hartuesit do të zgjedhin pyetjet e përshtatshme për të 7 llojet e testeve që do të hartojnë. Kjo, pasi programet e lëndës dhe ato orientuese  kanë qenë të ndryshme për tipa të ndryshme shkollash. Të shpërndara që në shkurt, mbi bazën e tyre maturantët kanë pasur kohën e mjaftueshme për t'u përgatitur. Testi i Letërsisë do të ketë 25 pyetje, prej të cilave 13 me alternativa, ndërsa pjesa tjetër me zhvillim. Pasi të mbarojë përzgjedhja dhe të caktohet testi final të cilit do t'i nënshtrohen maturantët, do të nisë faza e dytë e përgatitjes. Kjo fazë ka të bëjë me printimin dhe  me paketimin e testeve. Hartuesve do t'u vijnë në ndihmë edhe disa specialistë, të cilët deri në momentin e nisjes së provimit në shkolla do të jenë të ngujuar bashkë me ta në ambientet e AVA.
Shpërndarja
Shpërndarja e testeve në të gjithë shkollat e vendit do të nisë në mesnatën 8 qershorit për të përfunduar mëngjesin e ditës tjetër. Kutitë e vulosura do të shoqërohen jo vetëm nga përfaqësues të AVA, por edhe nga forcat e policisë dhe do të transportohen në masa të rrepta sigurie. Ashtu si vitet e kaluara, pritet që të për të çuar testet në rrethet e largëta të vendit të përdorët një helikopter, i cili do t'i vihet në dispozicion MASH nga Ministria e Brendshme. Fillimisht do të jenë përfaqësuesit e Drejtorive Arsimore rajonale që do të tërheqin kutitë me teste. Më pas ato do të shpërndahen në të njëjtat masa sigurie në mjediset ku do te zhvillohet provimi. Hapja e kutive me teste do të bëhet në orën 09:00 të datës 9 qershor, kur ashtu siç është përcaktuar nis edhe provimi i letërsisë.
Pyetjet e testit
Provimi i Letërsisë do të ketë  25 pyetje, prej të cilave 13 me alternativa. Vlerësimi për këtë kategori pyetjesh do të jetë nga 1 pikë secila. Maturantët duhet të përqendrohen më shumë në 12 pyetjet me zhvillim, të cilat zënë edhe peshën më të madhe në vlerësim. Në total, kush i përgjigjet saktë të gjitha këtyre pyetjeve merr 37 pikë. "Pra për çdo provim të detyruar, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë", ka sqaruar MASH në udhëzimin përkatës të saj. Një nga pikat kyçe që specialistët duhet të marrin parasysh për hartimin e testit final janë nivelet e testit. Ashtu si edhe vitin e kaluar, duhet që ai të përmbajë  pyetje për të gjitha nivelet e nxënësve. Kështu, në masën 40 për qind, AVA do të përgatisë pyetje për nxënësit që luhaten mes 5 dhe 6, i cili korrespondon me nivelin e tretë, sipas kategorizimit që u ka bërë nxënësve. Në këtë mënyrë, këta maturantë do të mund të marrin pikë në test. Për nivelin mesatar do të jenë 40% e pyetjeve të tjera të testit. Sipas specialistëve të AVA-s, në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella. Niveli i parë, ose niveli i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë do të ketë 20 për qind hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Kjo kategori ka edhe shanset për të marrë pikët maksimale për secilin provim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›