E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtron vajzën në spital, i zhduket bashkë me gruan

FIER - Del nga shtëpia për të shtruar vajzën në spital, por zhduket për t'u larguar me të dashurin. Një 27-vjeçare alarmoi familjen dhe policinë për disa orë, duke u dyshuar se e kishin rrëmbyer. 

 Por, pasditen e djeshme, nëna u zbulua në shtëpinë e një të riu me të cilin kishte lidhje jashtëmartesore. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fierit, Xh.Vizani nga fshati Dërmenas ishte paraqitur të shtunën në pediatri me të shoqin për të vizituar vajzën e saj 6-muajshe, pasi kishte ditë që e trajtonte në shtëpi nga sëmundjet e stinës. Duke parë gjendjen e vogëlushes mjekët pediatër kanë menduar ta shtrojnë në spital atë për të marrë mjekim më të kontrolluar dhe për të shmangur lëvizjen në orët e vapës. Sapo shëndeti i vogëlushes është qetësuar, nëna e saj ka  marrë të bijën për të dalë jashtë ambienteve të spitalit mëngjesin e djeshëm. Burimet policore bëjnë të ditur se ka qenë rikthimi i bashkëshortit në mjediset spitalore ai që mundi të zbulojë edhe humbjen e gruas me të bijën. Ai ka kërkuar me ngulm të shoqen, pasi nuk gjendej në spital dhe asnjë nga të afërmit nuk e dinte se ku mund të ishte. Edhe mjekët roje kanë mbetur të shtangur nga largimi i pacientes së vogël dhe nënës së saj. Fakti që bashkëshorti nuk e ka gjetur pjesën tjetër të familjes e ka detyruar atë t'i drejtohet policisë së Fierit, duke e shpallur gruan të humbur. Menjëherë nisën kërkimet, duke u shpërndarë dhe fotografia e 27-vjeçares. Fillimisht, policia hodhi dyshimet për një rrëmbim, por më pas rezultoi se ajo ishte larguar me dëshirën e saj. Në orët e pasdites së djeshme është zbuluar se ajo gjendej në banesën e shtetasit A. Hodaj në Fier. Sipas policisë ajo ishte larguar me Hodajn, pasi ky i fundit i kishte premtuar asaj martesë tjetër dhe kushte më të mira jetese. Disa debate mes dy personave kanë çuar në lokalizimin e vendndodhjes së saj. Fqinjët e Hodajt kanë dëgjuar të bërtitura dhe kanë shkuar në shtëpinë e të riut. Forca të shumta policie kanë zbarkuar në apartamentin e të riut, duke dyshuar se bëhej fjalë për rrëmbim personi. Por, pas dëshmisë së tyre, policia ka vërtetuar se nëna e re ishte larguar me dëshirë. Policia e ka marrë si fillim në mjediset e komisariatit të policisë për ta pyetur dhe më pas e ka lënë të lirë atë. Pas kësaj ngjarjeje ka qenë bashkëshorti i saj ai që pasi ka mësuar detajet, nuk ka dashur ta marrë të shoqen duke e quajtur atë tradhtare.                  m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›