E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët e Korçës bojkotojnë shkollën: Mësuesja na torturon

Gjimnazistët
Ankohen për sjelljen jokorrekte dhe për mënyrën arbitrare të vlerësimit

Maturantë dhe gjimnazistë të njërës prej shkollave më të mëdha të mesme në qytetin e Korçës kanë braktisur mësimin gjatë ditës së premte për të nisur protesta pa afat. Të paktën tetë klasa kanë bojkotuar mësimin, për shkak të “torturave” që pretendojnë se përjetojnë nga mësuesja e lëndëve të sociologjisë dhe filozofisë. Maturantët thonë se e kanë të vështirë të kuptohen me mësuesen, pasi për çdo nxënës që ngrihet në mësim vlerësimi nga ana e saj është negativ. Prej dy ditësh, nxënësit i kanë drejtuar një peticion drejtorisë së shkollës “Raqi Qirinxhi”, që është një nga shkollat e mesme të përgjithshme me rezultate më të larta. “Mësuesja na ka mbushur me katra. Pyet pesë nxënës në mësim, të tjerët i ngel ose u vë nota të ulëta dhe rezultatet tona në këtë lëndë janë skandaloze. Jemi ngritur në protesta dhe do të vazhdojmë të bojkotojmë mësimin deri në një vendim ndaj saj. Mësuesja po na terrorizon dhe ushtron presion psikologjik ndaj nesh gjatë gjithë kohës”, thotë përfaqësuesi i senatit të nxënësve. Mësuesja Violeta Tiçi nuk është paraqitur, edhe pse nxënësit e saj kanë dalë në protesta para shkollës për t’u ankuar ndaj saj. Përfaqësues të klasave ku jep mësim mësuesja, e cila është bërë prej disa ditësh objekt ankesash, kanë zhvilluar një takim me drejtorin e shkollës për të paraqitur kërkesat, duke vendosur si kusht mosparaqitjen në orët mësimore për një kohë të pacaktuar. “Jemi maturantë dhe në lëndën e saj kemi notat më të ulëta. Rrezikojmë mesataren në një kohë që në lëndët e tjera kemi rezultate të larta”, tha një nga vajzat maturante. Ndërkaq, drejtori i shkollës, Vladimir Prifti, thotë se nxënësit kanë të drejtë, pasi ka një kontradiktë. Mësuesja, sipas tij, e kryen tepër profesionalisht mësimdhënien, por problemet mbeten me metodat e kontrollit të dijes. Edhe pse pranon se mësuesja mund të ketë një pjesë të fajit, drejtori i shkollës konteston mënyrën e reagimit të gjimnazistëve, pasi, sipas tij, protestat janë forma e fundit dhe duhet të bëhen të lajmëruara e të përshkallëzuara në rast se nuk ka një reagim nga ana e drejtorisë për këtë çështje. “Nxënësit mund të kryejnë protesta, por këto të jenë të paralajmëruara, ose me një orë shkëputje. Ata nuk mund të braktisin shkollën në këtë formë, pasi ne po e ndjekim problemin dhe do t’i japim zgjidhje”, shprehet ai.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›