E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkon i ngrirë në spital, mbetet aty

Historia e një pensionisti të vetmuar, që ka gjetur strehë në repartin e urgjencës
Prej dy muajsh urgjenca e spitalit rajonal të Beratit është shndërruar në strehë për një 72-vjeçar nga Ura Vajgurore. Ndonëse gëzon shëndet të plotë, ai nuk pranon të lërë dhomën e urgjencës, pasi nuk ka ku të shkojë. Gjatë kohës që ndodhej në Spitalin Ushtarak pas një aksidenti të ndodhur në rrugët e kryeqytetit, iu shkatërrua plotësisht kasollja që i shërbente si banesë në qytezën e Urës Vajgurore. Për të moshuarin pa fëmijë dhe familjarë, bluzat e bardha janë të vetmit që interesohen për të, i sigurojnë ushqimin dhe fjetjen. Mjekët shprehen se 72-vjeçari Rapush Belishaku tashmë jeton në ambientet e urgjencës, për të mos e braktisur në rrugë të madhe. I moshuari ushqehet me ushqimet e spitalit, falë bujarisë së infermiereve.
Ai rri vetëm në dhomë dhe ndër të paktat fjalë që thotë shpjegon se ka mbetur pa shtëpi, pasi kasollja iu shkatërrua. Mësohet se i moshuari ka mbërritur në repartin e urgjencës dy muaj më parë, i shoqëruar nga policia dhe askush nga të afërmit nuk pranon ta strehojë për mungesë hapësire. Burime pranë këtij spitali thonë se muaj më parë uniformat blu të Urës Vajgurore sollën në repartin e urgjencës 72-vjeçarin, pasi ishte gjetur në rrugë në një ditë të ftohtë. “Pa shtëpi dhe familje ai kish kaluar natën jashtë dhe uniformat blu, pasi e kanë parë në rrugë, vendosën ta sillnin në spital”, thonë mjekët. Më pas ata sqarojnë se i moshuari iu nënshtrua një sërë ekzaminimesh mjekësore dhe rezultoi se gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Ai nuk vuan nga ndonjë sëmundje dhe nuk shfaq asnjë problem shëndetësor.
“Muaj më parë ka pësuar një aksident, pasi në njërën këmbë ka një thyerje, e cila i është rehabilituar nga një ndërhyrje që ne mësuam se i është bërë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Kemi kontaktuar me disa të afërm të tij në qytezën e Urës Vajgurore, por ata nuk kanë pranuar ta marrin në shtëpitë e tyre. Në këto kushte, 72-vjeçari ka mbetur në repartin tonë. Ne u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë, pasi ai nuk mund të qëndrojë më gjatë në repartin e urgjencës. Për këtë problem kemi kontaktuar edhe me kryetarin e Bashkisë së qytezës së Urës Vajgurore, prej të cilit kemi mësuar se po bëhen përpjekjet dhe janë nisur dokumentet për ta dërguar në një prej shtëpive që shërbejnë për kujdesin e kësaj kategorie, por duket se burokracitë kanë bërë që i moshuari të mbetet në ambientet e spitalit prej dy muajsh”, thonë mjekët beratas. Ndërkaq, qëndrimi për një kohë të gjatë në spital duket se ka lënë gjurmë në gjendjen e tij psikologjike. Ai nuk pranon të dalë nga dhoma dhe qëndron i shtrirë në tokë në shenjë proteste për mossistemimin e tij në një azil.
I moshuari na tregon se ka punuar një jetë të tërë në ndërmarrjen e naftës në Kuçovë, ku edhe ka përfituar një pension që i mjafton për t’u sistemuar në një prej shtëpive të moshës së tretë. Nisur nga humanizmi, mjekët e kanë mbajtur në spital, por shprehen se nuk mund ta mbajnë më gjatë dhe se tashmë duhen marrë masa për të. Ndërkohë, burime nga Bashkia e Urës Vajgurore bënë me dije se janë njoftuar të gjitha shtëpitë që shërbejnë për moshat e treta, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›