Vdekja e topografit, dyshohet aksident hekurudhor
FIER/ Hetuesit fokusohen te përplasja, por kanë ende dyshime për shkak të gjurmëve në vendin e ngjarjes
Topografi i Këshillit të Qarkut të Fierit mund të ketë vdekur si pasojë e një aksidenti hekurudhor. Burimet zyrtare të Komisariatit të Fierit pohojnë se misteri që rrethoi vdekjen e 59-vjeçarit Dhimitraq Gjika tashmë po zbardhet. Mendohet se topografi i qarkut është përplasur nga treni i linjës Vlorë-Tiranë. Gjika ka qenë duke ecur me biçikletë nëpër shinat e trenit në momentin kur ka kaluar treni që vinte nga Vlora. Pas disa orë hetimesh dhe vëzhgimesh të trupit të pajetë të 59- vjetarit, si edhe të vendit të ngjarjes, policia ka mundur të hedhë piketat e para të shkaqeve të vdekjes së topografit, edhe pse aksidenti nga treni ishte hedhur si një pistë dyshimi që në momentin e parë. Nga burimet brenda grupit hetimor mësohet se biçikleta e viktimës është gjetur rreth 30 metra larg vendit të ngjarjes, apo vendit ku mendohet se është kryer përplasja e tij nga treni. Ajo që mbetet ende me hije dyshimi është fakti se drejtuesi i trenit nuk e ka marrë vesh që kishte qenë protagonist në një aksident. Ky fakt ka sjellë edhe dyshimin se ndoshta 59- vjeçari ka qenë nën efektin e alkoolit dhe ndoshta është përplasur me pjesën anësore të trenit. Për këtë arsye vdekja ka ardhur si pasojë e përplasjes së dyfishtë me trenin dhe me anësoret e shinave të hekurudhës. Burime të tjera nga grupi i ekspertëve që janë marrë me hetimet e kësaj ngjarjeje të rëndë, pohojnë për “Shqip” se dosja ende nuk është mbyllur. “Hetimet nuk rezultojnë të përfunduara. Janë mjaft paqartësi që të lënë të dyshosh se mund të ketë shkaqe të tjera ngjarja në fjalë. Dhuna në trup, vendndodhja e viktimës, biçikleta larg trupit, orari jo i zakontë dhe shumë pikëpyetje të tjera janë ende duke u shqyrtuar nga grupi i hetimit”. Kështu ka thënë për gazetën “Shqip” një prej ekspertëve pjesëmarrës në hetimet e humbjes së jetës së topografit të këshillit të qarkut, Dhimitraq Gjika. Gjatë ditës së premte, trupi i topografit është përcjellë për në banesën e fundit.
#