Shqipëria dhe Maqedonia liberalizojnë tregun e përbashkët bujqësor
Shqipëria dhe Maqedonia vendosin të rrëzojnë barrierat doganore për produktet bujqësore midis dy vendeve, gjë që do të realizohet deri në muajin maj të këtij viti. E thënë ndryshe, produktet tona do të kalojnë traun e doganave maqedonase pa paguar asnjë tarifë dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për Maqedoninë. Lajmin për liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë e kanë dhënë dje në Tiranë ministrat e Ekonomisë të të dy vendeve, gjatë forumit të biznesit shqiptaro-maqedonas. Ministri maqedonas i Ekonomisë, Fatmir Besimi, u shpreh se në kuadër të kësaj nisme, prioritet do t'u jepet prodhimeve të industrisë së agrokulturës, por njëkohësisht kërkohet edhe realizimi i infrastrukturës rrugore për një qarkullim pa pengesa dhe të nevojshëm për biznesin. Të njëjtin mendim ndau edhe ministri shqiptar i Ekonomisë, Ruli, i cili përgëzoi përfaqësuesit maqedonas për këtë nismë. “Që kur është firmosur marrëveshja CEFTA, shkëmbimi i mallrave me Maqedoninë, si për eksportet, edhe për importet, ka shënuar rritje”, - u shpreh ministri Ruli. Por për ekspertët e Ekonomisë, liberalizimi i plotë i tregtisë me Maqedoninë për produktet bujqësore, “do të jetë me humbje për Shqipërinë, kjo për faktin se Maqedonia ka një nivel më të lartë të zhvillimit të bujqësisë se sa ne”. Gjithsesi, ekspertët shtojnë se kjo masë mund të kthehet në avantazh për Shqipërinë, në rast se qeveria merr masa konkrete për zhvillimin e bujqësisë dhe orienton tregun drejt rajonit. Nga të dhënat zyrtare rezulton se në fund të vitit 2008, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë arritën vlerën e 104 milione eurove. Ne realizojmë me Maqedoninë 21 për qind të totalit të eksporteve që kryhen në rajon dhe 26.1 për qind të importeve.
4 Mars 2009