E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maunia përplaset me autobusin e turistëve malazezë, një vdes

LIBRAZHD - Një 37-vjeçar ka gjetur vdekjen kur automjeti që ai drejtonte është përplasur nga një autobus ku udhëtonin turistë malazezë. 

Aksidenti ku ka humbur jetën Laze Mulaj, lindur dhe banues në Tropojë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, pranë fshatit Hotolisht. Ndërsa asnjë nga udhëtarët e autobusit, që udhëtonte nga Shkupi në drejtim të Malit të Zi, nuk u lëndua nga përplasja. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se, "rreth orës 01:00 të mëngjesit një maune tip "Benz" me targa TR 6369 E, drejtuar nga Laze Mulaj, është përplasur me autobusin me turistë nga Mali i Zi, me targa KO 63 69 E". Sipas të njëjtave burime mësohet se, përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e maunes, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas përplasjes dy automjetet kanë bllokuar krejtësisht gjerësinë e rrugës duke paralizuar kështu për rreth tre orë qarkullimin e automjeteve në këtë aks rrugor. Kjo edhe për faktin se përplasja ka ndodhur në hyrjen e një ure, çka e bënte të pamundur krijimin e një rrugëkalimi alternativ. Pas mbërritjes së policisë në vendngjarje janë shoqëruar për në komisariatin e policisë së Librazhdit shoferi, pronari dhe fatorinoja i autobusit, të tre shtetas malazezë, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me aksidentin. Trupi i pajetë i Mulajt është dërguar në morgun e qytetit të Librazhdit. Ndërsa turistëve u është vënë në dispozicion një tjetër autobus për t'i dërguar ato në destinacion. Sipas të dhënave paraprake, grupi hetimor i ndodhur në vendngjarje ka konkluduar se shkak i aksidentit me pasojë vdekjen e 37-vjeçarit ka qenë autobusi i turistëve malazezë.                                                           a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›