E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia, ja notat e skuadres ne humbjen e Maqedonise


Altin B. Kodra
Albania-Sport - Shqipëria është mundur të mërkurën me rezultatin 1-0, në miqësoren e zhvilluar në Stadiumin "Loro Barici" të Shkodrës, kundër Maqedonisë, dhe më poshtë po ju japim vlerësimet për lojtarët që u aktivizuan, si dhe trajnerin Baric

Arjan Beqaj, nota 7 Padyshim lojtari më i mirë në fushë për kuqezinjtë dhe, në ndeshjet e tij të fundit, në humbjen 1-2 me Holandën në "Amsterdam Arena" dhe në atë të djeshmen, portieri kosovar ka treguar se porta shqiptare tashmë nuk vihet më në dyshim. I kujdesshëm, me reflekse të shkëlqyera dhe me një gjatësi të kënaqshme, Beqaj është një nga pikat e konfirmuara të një Kombëtareje në tranzicion. Besnik Hasi, nota 5 Veterani i kuqezinjve bëri një paraqitje disi larg pretendimeve të nivelit të tij, gjë që theksohet nga fakti se, në castin e golit të maqedonasve, Ristic ishte krejt i vetëm në qendër të zonës së rreptësisë, aty ku duhet të ishte pikërisht Hasi. Një paraqitje nervoze, që u kurorëzua me një karton të verdhë, i la tifozët kuqezi duke menduar se cila është e ardhmja e qendrës së mbrojtjes shqiptare pa kosovarin. Elvis Beqiri, nota 5.5 Si e gjithë përfaqësuesja kuqezi, shkodrani ishte gjithsesi larg atij debutimi që bëri me fanellën kuqezi, vite më parë, pikërisht në stadiumin e "shtëpisë" së tij, në "Loro Borici", ku e konfirmoi veten si mbrojtës krahu me potencial. Pavarsisht nga një paraqitje mediokre në ndeshjen e djeshme, Beqiri mbetet një tjetër lojtar i konfirmuar i formacionit kuqezi, duke ofruar siguri për të ardhmen e mbrojtjes në krahë. Nevil Dede, nota 5 Mbrojtësi i Tiranës ishte në një ditë mediokre, edhe për nivelin e tij, dhe, ndonëse ishte mjaft aktiv fizikisht, nuk kishte qartësi në lojën e tij. Mbetet një nga më të mirët e kampionatit shqiptar, por tregoi edhe një herë se vazhdon të ekzistojë një disnivel midis atyre lojtarëve të Kombëtares që luajnë jashtë dhe atyre që militojnë në Kategorinë Superiore të futbollit shqiptar. Armend Dallku, nota 5 Mjaft aktiv në krahun e tij me inkursionet e tij, që tashmë janë karakteristikë e lojës së tij, Armend Dallku, sikundër dhe shumica e lojtarëve të Kombëtares, dje nuk kishte atë qartësi që i nevojitej në veprimet e tij sulmuese, ndërkohë që terreni ndikoi në rrjedhshmërinë e aksioneve të tij. Mbetet gjithsesi një lojtar i konfirmuar në rolin e tij në Kombëtare. Altin Haxhi, nota 6 Veterani, i cili ka shkëlqyer me formën e tij në skuadrën e tij të re, Ergotelisin, në kampionatin grek, ishte nga të paktët lojtarë që u ngjitën mbi nivelin mesatar në ndeshjen e djeshme dhe, deri në momentin që u zëvendësua nga i ri Jahmir Hyka, mbeti një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Baricit. Për sa kohë do të luajë, do të jetë gjithnjë i dobishëm për Kombëtaren kuqezi, qoftë edhe për pak kohë. Altin Lala, nota 5 Një 45 minutësh për kapitenin e Hanoverit, që përkoi në fakt me gjysmëlojën më të keqe të Shqipërisë ndaj Maqedonisë. Pavarsisht se mbetet një nga pikat ku mund të mbështetet Baric, Lala i përket asaj gjenerate të Kombëtares që tashmë ka kapërcyer të tridhetat dhe është në muzgun e karrierës së tij. Shtatshkurtri i mesfushës së Hanover 96-s ka të ngjarë të përqendrohet tashmë te karriera me klubin gjerman. Devis Mukaj, nota 5 Mesfushori dhe kapiteni i kryesueses aktuale, luajti për një pjesë loje në një formacion pak a shumë të parashikueshëm të trajnerit Baric, por pa patur mundësi të spikaste. Megjithatë, mbetet një alternativë në mesfushë për Kombëtaren, ndonëse mbetet për t'u parë nëse ai do të jetë pjesë e revolucionit të rinovimit të Kombëtares, të premtuar nga 74-vjecari kroat i pankinës kuqezi. Klodian Duro, nota 6.5 Luajti vetëm në pjesën e dytë, por bëri diferencën me paraqitjen e tij dhe ishte autori i asaj goditjeje të lirë, të ekzekutuar mjeshtërisht 5 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, që u devijua në shtyllën horizontale nga portieri maqedonas, në atë që mund të quhet padyshim rasti më i mirë për të shënuar. Ishte katalizatori i një "ringjalljeje" të kuqezinjve në 45 minutat e dyta dhe mbetet i rëndësishëm për trajnerin Baric. Debatik Curri, nota 5 Kosovari i mesfushës ishte larg asaj paraqitjeje që dhuroi në humbjen 1-2 në ndeshjen me Holandën dhe dje nuk u ngjit dot mbi nivelin mesatar, mbase duke reflektuar edhe atë që Kombëtarja paraqiti ndaj Maqedonisë. Një nga lojtarët që premton për të ardhmen e Kombëtares kuqezi, ndonëse ajo duket paksa e mjegullt për momentin. Ervin Bulku, nota 5 Pati 45 minuta në dispozicion, por nuk pati shumë hapësirë në një Kombëtare ku 40% e formacionit u ndërrua dhe mbeti në një nivel mediokër. Mbetet një lojtar luftarak, por që ende ka nevojë për më tepër përvojë në nivelin ndërkombëtar. Igli Tare, nota 4 Një ditë për t'u harruar kjo për kapitenin, i cili vuajti probleme muskulare brenda 20 minutave të para, duke u detyruar t'ia linte vendin Besart Berishës. Trajneri i Kombëtares, Oto Baric, zgjodhi të luante me Taren, i cili nuk aktivizohet me skuadrën e Lacios, në vend të sulmuesit më në formë, Bogdani, dhe dalja nga fusha e kapitenit e bën edhe më pak bindëse zgjedhjen e 74-vjecarit. Edmond Kapllani, nota 5.5 E nisi lojën si titullar, por nuk arriti të spikaste dhe të shpaloste plotësisht formën që e ka bërë atë të shënonte plot 10 gola dhe ishte thjesht një hije e vetvetes. Mbase për këtë ndikoi edhe ndërrimi i partnerit të sulmit, pas daljes së Igli Tares dhe hyrjes në fushë të Berishës. Mbetet për t'u parë se c'mund të bëjë ai në sulm me një partner të përhershëm, të tillë si Bogdani, me të cilin ai përshtatet më tepër. Besart Berisha, nota 4.5 Lojtari që spikati për individualizmin e tij të tepruar, mbase nga dëshira e madhe për të gjetur një gol përpara tifozëve shqiptarë. Me më pak bujari, kosovari i Hamburgut mund të kishte qenë më i dobishëm për kuqezinjtë, ndonëse nuk duhet harruar që një ndeshje e keqe nuk mund të prishë shpresën që Berisha mbart për të ardhmen e Kombëtares kuqezi. Erjon Bogdani, nota 5.5 Mbetet një nga lojtarët e padiskutueshëm, por që padyshim meriton më shumë nga trajnerët e Kombëtares. Hyrja e tij në fushë, së bashku me atë të Duros, e galvanizuan lojën e Kombëtares dhe shtatlarti i Kievos mbetet një nga pikat e forta të Shqipërisë edhe për 3-4 vitet e ardhshme. Meriton më tepër kohë dhe hapësirë në "Kombëtaren e re" të Baricit. Oto Baric, nota 5.5 Trajneri i Kombëtares është ende larg revolucionit të premtuar të skuadrës sonë përfaqësuese dhe akoma më larg 15 pikëve të premtuara për këtë fushatë eliminatore. Stonoi që në fillim, me përzgjedhjen e Igli Tares në 11-shen e parë dhe, më pas, me futjen në fushë të Berishës, që i hoqi sulmit pikën e referimit që shumë mirë mund ta kishte bërë Bogdani, futja e të cilit ishte disi e vonuar. Mbetet konfuze e ardhmja e Kombëtares, duke filluar që nga sfida e 24 marsit me Slloveninë në Tiranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›