E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Dosje për aferat korruptive të ministrave të qeverisë

Rastet korruptive janë dokumentuar nga grupi për krijimin e bazës së të dhënave të keqqeverisjes.

Shaban Sulçe

Të gjitha aferat korruptive të realizuara nga ministrat e qeverisë “Berisha” gjatë këtyre katër viteve qeverisjeje janë dokumentuar dhe sistemuar në dosje nga ana e Partisë Socialiste. Në selinë rozë, prej disa kohësh është krijuar një grup i posaçëm pune, i cili ka për objektiv krijimin e bazës së të dhënave të keqqeverisjes. Ky grup, i cili është një prej 10 të tillave të krijuara pranë Shtabit Elektoral të Partisë Socialiste, ka në axhendë një sërë detyrash konkrete. Ndër të tjera, grupit në fjalë i kërkohet që të krijojë dosje për kryeministrin, ministrat dhe drejtuesit e lartë të qeverisë lidhur me aferat korruptive. Më tej këto dosje do të analizohen dhe për to do të bëhen propozime për trajtimin e tyre ligjor, politik dhe mediatik.

Monitorimi
Detyra kryesore e grupit për krijimin e bazës së të dhënave të keqqeverisjes ka qenë monitorimi i qeverisjes aktuale. Kjo do të bëhet duke evidentuar premtimet programore dhe elektorale të qeverisë gjatë periudhës 2005-2009. Grupi i ngritur pranë Partisë Socialiste ka evidentuar gjithashtu mosrealizimin e këtyre premtive të qeverisjes aktuale si dhe rastet e denoncuara të korrupsionit të shkaktuar nga kjo qeveri. Sipas strategjisë së selisë rozë, të gjitha rezulatet e këtij monitorimi do të arshivohen në dosje. “Krijimi i dosjeve për kryeministrin, ministrat dhe drejtues të lartë të qeverisë lidhur me aferat korruptive. Analiza të dosjeve dhe propozime për trajtimin e tyre ligjor, politik e mediatik”, - thuhet ndër të tjera në detyrat që Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste i ka ngarkuar grupit për krjimin e të dhënave të keqqeverisjes. Shumë nga rezultatet e veprimtarisë së këtij grupi janë shfrytëzuar nga Partia Socialiste në qëndrimet e saj publike apo politike, ku ka denoncuar rastet korruptive të shkaktuara nga qeveria dhe nga ministrat e saj të implikuar. Këto raste do të shfrytëzohen nga selia rozë edhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Çështjet

Katër kanë qenë çështjet kryesore në të cilat Partia Socialiste ka përqendruar qëndrimet e saj denoncuese ndaj korrupsionit të qeverisë “Berisha”. Korrupsioni në rrugën “Rrëshen-Kalimash”, tragjedia e Gërdecit, lidhjet korruptive me sekserin Damir Fazlliç, si dhe korrupsioni me tokat në bregdet, raste që Partia Socialiste prej shumë kohësh nuk ka reshtur së bëri denoncime publike ndaj qeverisë, kryeministrit Berisha dhe ministrave të tij. Por në axhendën denoncuese të selisë rozë kanë qenë edhe shumë skandale të tjera korruptive të shkaktuara nga qeverisja aktuale.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›