Mazhoranca: Të hënën, seancë e jashtëzakonshme. Opozita: Nuk marrim pjesëNga TemaMazhoranca mblodhi dje Konferencën e Kryetarëve dhe vendosi që e hëna të quhet seancë e jashtëzakonshme dhe t’i kushtohet përmbytjeve të Shkodrës. Në një njoftim të shku
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Mazhoranca: Të hënën, seancë e jashtëzakonshme. Opozita: Nuk marrim pjesëNga TemaMazhoranca mblodhi dje Konferencën e Kryetarëve dhe vendosi që e hëna të quhet seancë e jashtëzakonshme dhe t’i kushtohet përmbytjeve të Shkodrës. Në një njoftim të shkurtër të parlamentit thuhet thjesht që kjo erdhi pas kërkesës së opozitës.
“Në përgjigje të kërkesës së deputetëve të opozitës për seancë të jashtëzakonshme, u mblodh sot Konferenca e Kryetarëve, e cila vendosi që ditën e hënë, datë 18 janar 2010, ora 17.00 do të zhvillohet seancë plenare vetëm për situatën e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës”, - thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit duket se bëri një shpjegim pak më të detajuar, kur tha se seanca e parë ishte të enjten, por është zhvendosur të hënën për t’u quajtur e jashtëzakonshme.
“Konferenca e Kryetarëve, pas kërkesës së deputetëve të opozitës për të pasur ditën e hënë një seancë të jashtëzakonshme për emergjencën në Shkodër, vendosi që t’i japë të gjitha hapësirat dhe t’i përgjigjet pozitivisht. Është e vërtetë që mazhoranca ka qenë 24 orë në 24 orë në Shkodër. Opozita, ndryshe nga mazhoranca bëri një kërkesë, në mënyrë të veçantë deputetët e qarkut të Shkodrës, por edhe deputetët e qarqeve të tjera dhe Konferenca sot vendosi t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese duke afruar seancën e parë të parashikuar për ditën e enjte, në ditën e hënë dhe të ketë në rendin e ditës vetëm çështjen e situatës së emergjencës civile në qarkun e Shkodrës”, - tha Topalli. Ajo u shpreh se kërkesa e opozitës nuk ka qenë zyrtare, por ajo është shprehur publikisht.
Një deputet i opozitës para disa ditësh pati deklaruar se, nëse gjatë ditëve të krizës do të ishte mbledhur Kuvendi, atëherë opozita do ishte në sallë. Tashmë, kur emergjenca ka kaluar dhe kur Kuvendi duhet të nisë punën normalisht, mazhoranca vendos ta quajë seancë të jashtëzakonshme. Seanca të tilla ndodhin, kur Kuvendit mblidhet, edhe pse është i shpërndarë. Argumenti se seanca e parë plenare ishte të enjten, ndërsa të hënën do nisin punë komisionet, duket po ashtu i pabazë, për shkak se do duhet të mblidhet seanca që të miratohet një kalendar pune, dhe jo e anasjellta. Megjithatë, është e qartë se gjithçka është një lëvizje politike e kryetares së Kuvendit.
Por opozita bëri të ditur se nuk do marrë pjesë në atë që kryetarja e Kuvendit e quan seancë të jashtëzakonshme.
Deputeti Taulant Balla tha dje se kur kriza e përmbytjeve ishte në kulmin e saj, Topalli bënte turizëm dhe pazar në Bruksel.
“Zonja Jozefina është kujtuar tepër vonë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, për aq kohë sa, sipas nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, seanca e javës së tretë të janarit, pra e datës 18 janar 2010, është seanca e parë e sesionit të ri kuvendor.
Zonja Jozefina u kujtua tepër vonë për një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, sepse, kur Buna dhe liqeni filluan të derdhen mbi Shkodër, ajo ia mbathi për turizmin politik të radhës dhe për shopping në “Rue Neuve”, dyqaneve më të shtrenjta të Brukselit, për blerjet e jashtëzakonshme të rrobave të reja për vitin e ri 2010. Zonja Jozefina nuk u kujtua për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, kur ministri përgjegjës, Dritan Prifti, nuk ishte në krye të detyrës, sepse festonte në një nga hotelet më të jashtëzakonshëm të Stambollit, teksa Shkodra dhe veriu përmbyteshin nga papërgjegjshmëria e tij dhe e Sali Berishës”, - tha Balla.