E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca kundër BE, e vendosur të zbatojë ligjin e dosjeve

>Pollo sqaron kontestimet e Trojkës evropiane ndaj ligjit të spiunëve
Ditën e djeshme Partia Demokratike gjatë seancës në parlament ka mbrojtur me forcë  ligjin e dosjeve, duke e argumentuar se ky ligj është një ligj i domosdoshëm për shoqërinë shqiptare postkomuniste. Në debatet e ndryshme të zhvilluar dje, deputetë të ndryshëm të PD kanë kontestuar mënyrën e dyshimtë të kundërshtimit të ligjit të dosjeve nga ana e Socialistëve. Ata kanë ngulur këmbë në argumentet e tyre se ky ligj duhej vënë në zbatim pavarësisht kontestimeve të ndërkombëtarëve. Gjatë fjalës së tij zëvendëskryeministri, Genc Pollo,  të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë u ndal te takimi i tij me Trojkën e Bashkimit Europian, e cila  erdhi për të paraqitur opinionet e veta lidhur me ligjin e pastrimit të figurave. Pollo ndër të tjera deklaroi se BE dhe Trojka i vë shumë rëndësi dialogut politik si dhe një gjyqësori funksional dhe politikisht të pavarur. Gjithashtu zv/kryeministri Pollo theksoi se  pavarësisht nga polemikat që janë normale në një demokraci plurale dialogu politik mes mazhorancës dhe opozitës në këtë vend nuk ka munguar. Ai tha se nuk kanë munguar as frytet e tij përmes miratimit konsensual të një numri të rëndësishëm ligjesh. Gjithashtu, shtoi Pollo  nuk kanë munguar as përpjekjet për një gjyqësor funksional dhe politikisht të pavarur. Produkt i kësaj përpjekje dhe njëkohësisht dhe i dialogut politik, nënvizoi Pollo,  ka qenë miratimi i një sërë ligjesh në 6 mujorin e fundit që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe me prokurorinë, të cilat janë miratuar edhe me votat e opozitës pasi janë konsultuar me grupet e interesit dhe kanë përfituar nga asistenca e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Sipas Pollos, shqetësimi që vjen nga  BE për ligjin e pastrimit të figurave të komunizmit vjen në radhë të parë nga koha në të cilën ky ligj adoptohet. Kanë kaluar 18 vjet nga rrëzimi komunist tha Pollo, kur Shqipëria vendos me këtë ligj të ndajë administratën e lartë të shtetit nga ata që janë përzier me krime gjatë këtij sistemi. Zv/kryeministri Pollo kujtoi se një përpjekje është bërë në pushtet, por PS pas ardhjes në pushtetet në 97 vendosi ta aprovonte këtë ligj. Duke marrë të nevojshme premtimin dhe angazhimin e mazhorancës bashkë me përpjekjet afatgjata për ta arritur një kompromis me opozitën duke bërë dhe lëshime jo të vogla në përmbajtjen e këtij ligji, në mënyrë që së bashku të arrinim në një konsensus,- theksoi Pollo. Gjithashtu, Pollo theksoi  se është e nevojshme që të vendoset në bazën e një demokracie pluraliste që ka nevojë të ngrihet mbi themele morale dhe për të qenë e tillë duhet të shkëputet nga të përzierit me krimet e regjimit komunist. Në qoftë se kryetari i PS, u shpreh ai, pretendon se është një ligj i tillë që na ndan me Europën, unë do të doja të kujtoja që kanë qenë vende si Polonia, Çekia, Hungaria, Sllovakia, Çekia që në mënyrë konsekuente që në fillim të vitit 90 kanë zbatuar ligjin e lustrimit. Dhe pikërisht, nënvizoi Pollo, këto vende janë bërë anëtare të BE, ndërsa vendet e tjera që kanë vepruar me zik-zake apo nuk kanë vepruar në këtë mënyrë ose janë anëtare me probleme në BE ose më së shumti janë radhë për tu anëtarësuar në BE. Për të përcaktuar përgjegjësitë politike, mendoj që opozita është ajo që mban barrën për këtë çështje,- u shpreh Pollo. Qëndrimi i BE edhe në takimin e djeshëm ka qenë se mbështet objektivin legjitim të ballafaqimit me të kaluarën nën regjimin komunist, por kuptohet që kjo do të bëhet brenda standardeve ndërkombëtarisht të pranuara dhe ne përpjekje për këtë kemi bërë,- theksoi Pollo.  Gjithashtu, Pollo thekson se çdo person që do të dalë i prekur nga kontrolli i figurës ka mundësi apelimi në tre shkallë të gjyqësorit dhe është verdikti i gjyqësorit ai që e bën vendimin efektiv. Pa përjashtuar dhe apelimin në Gjykatën e Europiane të të Drejtave të Njeriut,- tha Pollo. Pjesëmarrja e opozitës, nënvizoi zv/kryeministri Pollo, gjatë procesit të kontrollit të figurës rrit kredibilitetin dhe është një ftesë dhe një detyrim në përputhje me një nevojë që ka Shqipëria për të qenë e përputhshme me Europën të merrnin pjesë në këtë autoritet. Çdo monitorim i këtij procesi nga BE, tha ai, është më se i mirëpritur nga qeveria dhe nga mazhoranca dhe shpresoj që të jetë më se i mirëpritur edhe nga opozita sepse jemi të gjithë të interesuar për ndarjen përfundimtare nga e kaluara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›