E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefektura e Shkodrës jep 17 leje për ndërtim HEC-esh

>Shkodra është me pasuri të jashtëzakonshme natyrore përsa i përket basenit të saj ujëmbledhës. Natyrisht jo vetëm që ka vend për të ngritur HEC-e të tjerë të vegjël dhe në vende të ndryshme, por ka akoma më shumë vend për të menaxhuar akoma më mirë fuqinë hidrike në këtë drejtim. Gjithashtu, duhet të ndërhyhet në mbrojtjen ujore në përgjithësi. Të studiohet argjinatura e lumenjve, përrenjve, liqeneve, rezervuarëve, pritave, kaskadave e digave të HEC-eve, kanaleve kulluese për të parë mundësitë e ndërhyrjes së riparimit, rikonstruksionit apo të ndërtimit. Kjo ka qenë një nga kërkesat e bëra nga prefekti i qarkut të Shkodrës, Maxhit Cungu gjatë analizës vjetore të këtij institucioni. Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se Këshilli i Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë në Shkodër, ka shqyrtuar kërkesat e subjekteve publike dhe private për të ushtruar aktivitet dhe janë dhënë 148 informacionet e miratuara për përdorim të rezervës ujore në basen për ndërtim HEC-esh, ku përfshihen dhe dhëniet e lejeve për ndërtimin e dy hidrocentraleve, të Bushatit dhe të Skavicës. Ndërkohë, mësohet se janë marrë vendime për 17 leje përdorimi të rezervës ujore për ndërtim HEC-esh nga ana e subjekteve private, pas lidhjes të kontratës me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes dhe vendimeve përkatëse nga Këshilli i Ministrave. Është miratuar një kontratë koncesioni për përdorimin e burimit ujor Ujësjellës Sh. A. për furnizimin e popullatës me ujë. Gjithashtu, gjatë vitit të shkuar, Këshilli i Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë ka ngritur grupin e Task-Forcës, i cili ka ushtruar 70 kontrolle në lumenjtë Drin, Bunë, Kir dhe liqenin e Shkodrës. Rast pas rasti janë marrë masat për 50 subjekte si për ndalimin e shfrytëzimit të rërave e zhavorreve deri ne anulimin e lejeve, si dhe masat administrative për ndërtimet buzë lumenjve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›