E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbahet e pandryshuar norma e interesit në nivelin 6.25%

Autori i Lajmit: red.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Aktiviteti ekonomik botëror ka vijuar të ngadalësojë ritmin e rritjes edhe gjatë muajit maj 2008. Ngadalësimi i ekonomisë së ShBA, pasojat e trazirave financiare dhe rritja e mëtejshme e çmimit të naftës dhe lëndëve të para kanë ndikuar negativisht në ecurinë ekonomike botërore. Janë ekonomitë e vendeve në zhvillim ato që vazhdojnë të kuontribuojnë pozitivisht në këtë drejtim. Rritja e mëtejshme e çmimit të naftës, energjisë dhe ushqimeve kanë vijuar të mbeten burimi kryesor i inflacionit në botë. Kështu ShBA-ja dhe Eurozona shënuan nivelet më të larta të inflacionit gjatë muajit qershor të vitit 2008, përkatësisht me 5% dhe 4%. Për këtë arsye, BQE në fillim të muajit korrik rriti normën bazë të interesit me 25 pikë të përqindjes bazë duke e çuar atë në nivelin 4,25%. Treguesi i shitjeve për ekonominë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 është rritur me rreth 24% në terma vjetorë. Kontributi kryesor në këtë rritje ka ardhur nga aktiviteti tregtar, sektori i ndërtimit dhe ai i industrisë. Ecuria e ekonomisë është shoqëruar dhe me sinjale pozitive në tregun e punës. Norma e regjistruar e papunësisë arriti në 13.04%, nga 13.2% në fund të 2007.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›