E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët, Qeveria OK sigurimit të detyruar të jetës

Autori i Lajmit: red.
Qeveria miratoi dje vendimin "për të siguruar me detyrim jetën e minatorëve shqiptarë". Sipas kryeministrit Sali Berisha, "kjo është një barrë e rëndë në Shqipëri, por është jashtëzakonisht e domosdoshme".
Kreu i Qeverisë vlerësoi se "sigurimi i jetës së minatorëve është i domosdoshëm", dhe sipas tij, "disa kompani e kanë bërë këtë edhe para këtij vendimi, për shkak se kanë ndërgjegjen e rrezikshmërisë së këtij profesioni".
Sigurimi i jetës
Sigurimi i jetës dhe kushteve të punës ka qenë një kërkesë e hershme e minatorëve. Pak më shumë se një javë më parë minatorët protestuan para Kryeministrisë për të drejtat e tyre. Po kështu, minatorët në shkallë vendi realizuan dhe greva për statusin e tyre të pensionit. Minatorët janë kategoria më e rrezikuar në profesionin e tyre, shumë prej tyre kanë humbur jetën në galeritë e nëntokës për shkak të mungesës së kushteve teknike.
Vendimi
Këshilli i Ministrave vendosi: Personat, që zotërojnë leje për të ushtruar veprimtari minerare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, detyrohen të kryejnë sigurimin e punonjësve të tyre nga aksidentet personale në punë, sipas një kontrate, pranë një shoqërie sigurimi. 5. Kontrata e sigurimit të punonjësve nga aksidentet personale në punë duhet të mbulojë rastet e: a) humbjes së jetës; b) paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme; c) paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme. 6. Shuma për çdo punonjës të siguruar, e përcaktuar në formularin e kontratës së sigurimit, nuk mund të jetë më e ulët se 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë. 7. Tarifa e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.5 për qind e shumës së siguruar, të shënuar në formularin e kontratës së sigurimit. 8. Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit, sipas dëmtimeve shëndetësore, miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në mbështetje të pikes 8, të nenit 14, të ligjit nr.9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”. Këto kushte shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve, për sigurimin e punonjësve, në përputhje me pikën 1, të këtij vendimi. 9. Periudha e veprimtarisë minerare, e përcaktuar sipas të drejtave minerare, të përfituara nga lejet minerare, duhet të jetë e mbuluar nga kontrata e sigurimit, e cila mund të jetë vjetore dhe e rinovueshme çdo vit ose për të gjithë kohën e veprimtarisë minerare. 10. Subjektet minerare, që do të pajisen me leje minerare sipas kërkesave të ligjit minerar të Shqipërisë, duhet të kryejnë sigurimin e punonjësve ndaj aksidenteve, përpara fillimit dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre minerare. 11. Subjektet minerare, të pajisura me leje minerare e që sot zhvillojnë veprimtari minerare, brenda një periudhe 90-ditore nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të realizojnë sigurimin e punonjësve të punësuar ndaj aksidenteve. 12. Subjektet minerare duhet të paraqesin, pranë strukturave përgjegjëse, në ministrinë, që mbulon veprimtarinë minerare, dokumentet, që vërtetojnë sigurimin ndaj aksidenteve. Fillimi ose vazhdimi i veprimtarisë minerare kryhet pas konfirmimit nga këto struktura se sigurimi është në përputhje me kërkesat e këtij vendimi. 13. Shoqëria nuk do ta ushtrojë veprimtarinë minerare deri në çastin e paraqitjes dhe të miratimit të këtij dokumenti në organin, që ka lëshuar lejen minerare. Mosrespektimi i një detyrimi të tillë vlerësohet shkelje e dispozitave të ligjit nr.7796, datë 17.2.1994, “Ligji minerar i Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe trajtohet, sipas kapitullit të masave ndëshkuese, të këtij ligji, me vlerën e gjobës maksimale dhe heqjen e të drejtave minerare. 14. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›