E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbajnë frymën gjallë, vetëm me 130 lekë në ditë për frymë

07/05/2005  Varfëri ekstreme në 15 komuna të Qarkut, 4 nga të cilat jetojnë nën minimumin jetik

SHKODER – Banorët e 15 komunave në Qarkun e Shkodrës jetojnë në një varfëri ekstreme. Rreth 130 lekë është llogaritur se shpenzohet mesatarisht për frymë nga banorët e këtyre komunave. Ndërkohë banorët e 4 komunave si Shllak, Pult, Shosh dhe Kelmend jetojnë nën minimumin jetik, pasi mbijetojnë vetëm falë ndihmës ekonomike që marrin nga shteti.

Alarmi kësaj radhe ka dalë nga një studim për nxitjen e zhvillimit rajonal i realizuar nga specialistët e Qarkut të Shkodrës dhe i mbështetur nga programi i zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, UNDP.

Ndërkohë, banorët e këtyre zonave të thella duket se mbajnë frymën gjallë me lekët e pakta që iu shkojnë nga emigracioni, pasi duket se për shkak të klimës dhe të mungesës së tregjeve dhe infrastrukturës janë “të mallkuar” me varfëri.

Edhe një studim i Bankës Botërore ka paraqitur nivelin e lartë të varfërisë, duke e “rrumbullakosur” në shifrën e 28 për qind të popullsisë së këtyre zonave, që jetojnë në nivele të skajshme varfërie.

Varfëria

Studimi i kryer nga specialistët ka nxjerrë si përfundim se banorët e 15 komunave të Qarkut të Shkodër, jetojnë në kushtet e një varfërie ekstreme. Kështu këto banorë, që në fakt përbëjnë një komunitet prej disa dhjetëra mijëra banorë, jetojnë me të ardhurat që përfitojnë nga ndihma ekonomike.

Nga kjo ndihmë ekonomike e dhënë nga shteti përfitojnë rreth 30 për qind e familjeve, të cilat çdo muaj marrin nga strukturat shtetërore një pagesë prej rreth 20 dollarë amerikanë dhe duke llogaritur një mesatare të ardhurash, ku përfshihen edhe të ardhurat e tjera të nxjerra nga vetë banorët e këtyre zonave. Studimi nxjerr se këta banorë, jetojnë me më pak se 130 lekë në ditë për frymë.

Ndërsa situatën më të rënduar ekonomike, studimi e nxjerr në një pjesë të këtyre zonave malore, ku 80 për qind e familjeve fshatare në 4 komuna të thella malore të këtij Qarku dhe pikërisht në atë të Shllakut, Pultit, Shoshit dhe Kelmendit, jetojnë vetëm me ndihmën ekonomike, që marrin çdo muaj nga shteti.

Shkaqet

Studimi ka nxjerrë jo vetëm nivelin ekstrem të varfërisë në zonat malore, por edhe shkaktarët e kësaj varfërie. Kështu të dhënat flasin se banorët e komunave të largëta malore në Qarkun e Shkodrës, përballen me vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të largësisë së madhe nga zonat e banuara urbane, mungesës së tregut të shitjes, të ardhurave të pamjaftueshme dhe infrastrukturës së shkatërruar.

Shkaqe të tjera të nxjerra në pah për varfërinë ekstreme që ka “zaptuar” banorët e zonave të thella malore kanë rezultuar edhe terreni i thyer malor, toka e paktë, mungesa e burimeve jetësore, si dhe mungesa e politikave nxitëse për zhvillim në pjesën më të madhe të komunave malore të rrethit të Shkodrës.

Duke bërë dhe krahasime me zona të tjera të vendit, studimi për nxitjen e zhvillimit rajonal, ka arritur në përfundimin, se niveli i zhvillimit ekonomik në zonat malore të Qarkut të Shkodrës është më i ulët se ai i disa zonave të tjera të vendit, megjithëse, ky Qark ka pasuri të shumta natyrore, për të cilat duhet të hartohen dhe zbatohen projekte të shpejta zhvillimi.

“Dy duar për një kokë”

Nga ana tjetër, vetë banorët e këtyre zonave malore shprehen se jetojnë në kushte tepër të vështira ekonomike dhe sociale, ku ndihma ekonomike që marrin nga shtetit, nuk është e mjaftueshme as për të siguruar bukën e gojës, prandaj ata shohin si rrugëzgjidhje të vetme emigracionin e të rinjve të këtyre zonave, që në të shumtën e rasteve jo vetëm ka qenë klandestin, por edhe tragjik.

Studimi paraqet rreth 36 për qind të familjeve fshatare të Qarkut të Shkodrës, që kanë të paktën një pjesëtar të tyre në emigracion të përhershëm apo sezonal, të cilët në njëfarë mënyre po i mbajnë gjallë këto zona tejet të varfëra ekonomikisht.

15 komuna në Qark

varfëri ekstreme

4 komuna në Qark

nën minimum jetik

130 lekë për frymë në ditë

shpenzohet mesatarisht

80 për qind e familjeve

në 4 komuna jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike

36 për qind e familjeve fshatare

kanë nga një emigrant

Shkaqet

Largësia e madhe nga zonat e banuara urbane

Mungesa e tregut të shitjes

Të ardhurat e pamjaftueshme

Infrastruktura e shkatërruar

Terreni i thyer malor

Toka e paktë

Mungesa e burimeve jetësore

Mungesa e politikave nxitëse për zhvillim

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›