E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbajti shtatë orë peng moshatarin, pranga 34-vjeçarit

 

Sabah Shkoza akuzohet për pengmarrje me armë për 100 mijë lekë të reja

Mori peng moshatarin e tij, ndalohet nga policia. Sabah Shkoza, 34-vjeç, banues në Priskë të Tiranës është ndaluar ditën e djeshme nga policia, pasi akuzohet se ka marrë peng moshatarin e tij Ylli Seferi. Ngjarja ka ndodhur rreth një muaj më parë në Dajt, kur 34-vjeçari Ylli Seferi kishte lënë punën dhe po kthehej në banesën e tij, por është përballur me një person të maskuar e të armatosur. Autori ka detyruar 34-vjeçarin të zbrazë xhepat, por kur ka parë që ai kishte vetëm 1200 lekë të reja, e ka lidhur me lidhëset e këpucëve dhe nën kërcënimin e armës e ka detyruar të lëvizë nëpër fshatrat përreth malit të Dajtit. Ndërkohë pengmarrësi ka telefonuar vëllanë e Seferit dhe duke i kërkuar atij 100 mijë lekë në shkëmbim të jetës së 34-vjeçarit. Në këto kushte, vëllai i këtij i fundit ka gjetur paratë dhe është nisur drejt vendit të caktuar nga autori i dyshuar Shkoza. Pasi ka mbajtur Seferin për më shumë se 7 orë peng, Shkoza është takuar me vëllain e tij për të marrë lekët. Ata janë takuar pranë vendit ku autori i zuri pritë Ylli Seferit. Sapo ka dorëzuar paratë, autori është larguar me shpejtësi. Një ditë më pas, i dëmtuari ka denoncuar ngjarjen në polici. Sipas dëshmisë së tij, autori mbante një shami në kokë dhe nuk ka mundur ta njohë për shkak dhe të errësirës. “Ndeza çakmakun për të dalluar fytyrën e tij, por ai më kërcënoi me armë, ndaj dhe nuk e ktheva me kokën nga ai” -mësohet të ketë thënë në polici Ylli Seferi. Policia nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar pengmarrësin. Pas rreth një muaji hetim, ditën e djeshme policia ka mundur të bjerë në gjurmët e autorit duke bërë të mundur dhe ndalimin e tij. “Policia ka prova të cilat për të fajësuar Sabah Shkozën si autorin e pengmarrjes, megjithatë ngjarja është nën hetim” -thanë për “Shekullin” burimet policore. Në deklaratën e tij i ndaluari e ka mohuar akuzën. Mësohet se ai ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të grabitjes me armë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›