Prokuroria mbyll Trebickën: Ishte një aksident
Prokuroria tregon se si ndodhi aksidenti, por nuk ka mundur që të zbardhë shkakun e tij. Botohet raporti i plotë
TIRANË- Prokuroria e Korçës ka mbyllur dje çështjen e vdekjes së dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka, duke e cilësuar atë vetëm si një aksident. Ata janë bazuar në raportet e tre ekspertëve të ndryshëm, por askush prej tyre nuk ka mundur që të saktësojë se përse ndodhi aksidenti. Ekspertët tregojnë mënyrën e aksidentit, pasojat e tij dhe gjithçka tjetër, por jo përse Trebicka devijoi makinën në mënyrë të dyshimtë, duke provokuar ngjarjen. Ata nuk kanë mundur që të zbulojnë as shkakun përse ai kishte shkuar në atë zonë, teksa ishte nisur diku tjetër. Në pamundësi për të bërë këtë gjë, prokuroria i ka rënë shkurt, duke mbyllur çështjen. “Shekulli” boton të plotë vendimin e prokurorisë për pushimin e çështjes dhe të gjitha detajet e ngjarjes.
Pasi kanë studiuar të gjitha aktet dhe materialet hetimore të administruara në procedimin penal nr.1006, të vitit 2008, që bëjnë fjalë për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, e parashikuar si krim nga neni 290/1 të K.Penal, prokurorët Përparim VUKAJ dhe Hysen KULLA, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, konstatuan:
KONSTATUAM
Mbi bazën e këqyrjes së vendit të ngjarjes, të datës 12.09.2008, ku është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, në datë 13.09.2008, ka regjistruar procedimin penal nr.1006, viti 2008, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290/1 të K. Penal. Nga tërësia e hetimeve të kryera rreth këtij procedimi penal, ka rezultuar e provuar si më poshtë: Në datë 12.09.2008, me marrjen e njoftimit nga Drejtoria e Policisë Qarkut Korçë, ku jemi njoftuar se në vendin e quajtur “Kullat e Gjergjevicës”, në aksin rrugor Lekas-Voskopojë, është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka, menjëherë është krijuar grupi hetimor me përbërje të drejtuesit të prokurorisë dhe prokurorit të gatshëm, si dhe të ekspertëve kriminalistë dhe mjekoligjorë, ku është shkuar tek vendi i ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar si më poshtë:
Nga lindja, vendi i ngjarjes kufizohej me një pjesë pylli me bredh dhe pishë. Nga perëndimi, vendi i ngjarjes kufizohej me rrugën rurale që të çon në fshatin Gjergjevicë. Nga jugu, kufizohej me kodrat e fshatit Gjergjevicë. Nga veriu, kufizohej me rrugën rurale që të çon në fshatin Voskopojë. Si pikë orientuese për fiksimin e të gjitha provave që janë gjetur në vendin e ngjarjes, është marrë kryqëzimi i rrugës rurale ekzistuese Lekas-Voskopojë.
Në distancën rreth 95 m nga ky kryqëzim, kur je i orientuar me drejtim lëvizjeje për të shkuar sipër në pjesën e rrugës të hapur rishtazi, gati me ekstremin lindor të kësaj rruge, gjendet fillimi i një gjurme rrëshqitjeje gomash automjeti, që fillojnë nga krahu i djathtë i kësaj rruge në kulm, me tendencë vazhdimi nga krahu i djathtë i kësaj rruge, me gjatësinë 9.8 m, e matur sipas formës se rrëshqitjes. Në të majtë të fillimit të kësaj gjurme, 5.3 m poshtë saj, në drejtimin verior, mbi një pjesë të ngritur të mesit të kësaj rruge, gjendet fillimi i një gjurme rrëshqitjeje, formuar nga gomat e krahut të majtë të automjetit. Fundi i këtyre gjurmëve dhe konkretisht 1.9 m nga ajo e krahut të djathtë dhe 1.2 m nga ajo e krahut të majtë, gati në fundin e ekstremit perëndimor të kësaj rruge poshtë tyre, konstatohet prania e një mase xhamash të thyer, të cilët, janë pjesë e një të tëre me sy të lirë, me një sipërfaqe 0.6 cm X 0.7 cm. Kufoma ndodhet në pozicion me shpinë nga toka, koka është në kënd 30 gradë në pjesën verilindore. Koka është e mbuluar me flokë të shkurtër të zinj, të thinjur në masën 85 %, të rralla në pjesën e ballit, me gjatësi rreth 1 cm. Sytë e mbyllur plotësisht, goja gjysmë e hapur. Nga goja, vrimat e hundës dhe vrimat e veshëve konstatohen sekrecione hemorragjike me ngjyrë të kuqe të thatë.
Më tej, dera e krahut të djathtë, paraqet dëmtime masive në nivelin e dorezës midis dy llamarinave të derës. Pasqyra paraqitet e dëmtuar dhe e futur në pjesën e brendshme të xhamit. Në pjesën e kornizës, krahu i djathtë i mbajtjes se xhamit, paraqet dëmtime te freskëta, pothuajse gjatë gjithë gjatësisë, me përqendrim më të madh nga gjysma e gjatësisë sipër. Në distancën 0.28 m nga këndi i poshtëm i derës, sipër saj, gjendet një masë dheu e thatë në trajtë stampimi dhe me bar. Xhami i parë i derës së pasagjerit paraqitej i thyer plotësisht. Xhami i parë i zhvendosur nga pozicioni fillestar. Parafango e krahut të djathtë mbrapa paraqitej me dëmtime të freskëta në trajtë shtypje, me vendosje topografike përpara 0.3 m dhe pjesa e sipërme, përsëri me heqje boje. Në pjesën e llamarinës, në zonën e sinjalit, krahu i djathtë, vërehej një gërvishtje e freskët me gjatësi 8 cm dhe pozicion 45 gradë në aksin gjatësor. Sinjali i majtë anësor i pasmë, paraqitej me thyerje të freskët në të gjithë lartësinë e saj. Parakolpi në pjesën anësore të tij, në krahun e majtë, ka pasur një shtypje të freskët nga jashtë-brenda, e shoqëruar me gërvishtje të freskëta anësore. Po kështu, ky automjet, është këqyrur me imtësi në prani te ekspertëve në ambientet e Drejtorisë se Policisë Korçë dhe i është nënshtruar ekspertimeve dhe eksperimenteve për gjendjen teknike të tij.
DINAMIKA
Në bazë të akteve të ekspertimeve autoteknike të tre ekspertëve të caktuar nga organi procedues, ekspertët, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, kanë dhënë këto konkluzione për dinamikën e ndodhjes së aksidentit si më poshtë:
1. Në bazë të raportit të oficerit të lartë Kevin Teter i policisë së shtetit Virxhinia, i thirrur nga Prokuroria Shqiptare në cilësinë e ekspertit, theksohet se kjo manovër e menjëhershme, ka bërë që pesha e automjetit të kalojë në krahun e djathtë dhe të rrotullojë mjetin, duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe, duke e hedhur shoferin nga zona e hapur e tavanit. Ndërkohë, automjeti është rrotulluar në tavanin e tij, mbi shoferin dhe, eventualisht është kthyer mbi rrota pingul me rrugën. Si rezultat i pjerrësisë së rrugës për poshtë në drejtim të lindjes, automjeti eci mbrapsht deri në pozicionin final të qëndrimit të tij.
2. Në bazë të aktit të ekspertimit autoteknik të ing. Daniel Xhemo, dinamika e ndodhjes së aksidentit është si më poshtë:
“Autovetura e drejtuar nga i ndjeri Kosta Trebicka, pak para fillimit të shfaqjes së gjurmëve rrëshqitëse, ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi (V), sipas drejtimit jug-veri, dhe e pozicionuar gati në gjysmën e djathtë të rrugës, me një tendencë të lehtë për nga e djathta, gjë që e vërteton gjurma e lënë nga goma e djathtë prapa. Në momentin kur makina ka qenë me gomat lart, mjeti ka qenë saktësisht mbi viktimën, duke i shkaktuar atij dëmtimet e konstatuara në aktin mjeko-ligjor.
Ndërsa drejtuesi i autoveturës, në fillimin e përmbysjes, gjatë rrotullimit të parë, ka qenë nën ushtrimin e forcave aktive njëplanëshe, asaj të rëndesës (G) dhe dy forcave centrifugale (Fc), (F’c). Rezultantja e tyre, e ka detyruar trupin e tij të shkëputet nga sedilja (rripi i sigurimit nuk ka qene i vënë), të rrotullohet në sens orar dhe të zhvendoset (të lëvizë) drejt derës së djathtë. Gjatë rrotullimit të dytë të autoveturës, për shkak të dominimit të peshës gravitacionale vetjake (G), trupi i tij është pozicionuar në hapësirën e hapur të çatisë (baxhës), nëpërmjet së cilës është larguar jashtë autoveturës, duke u shembur në rrugë dhe njëkohësisht duke marrë goditje nga pjesët e jashtme të saj”.
3- Në bazë të aktit të ekspertimit autoteknik të ekspertit Gëzim Hoxha, mekanizmi i ndodhjes se aksidentit është si më poshtë:
Rruga ku qarkullonte mjeti, në raport me terrenin, vjen me një pjerrtësi të lehtë. Në krahun e djathtë të rrugës, drejtimi lindor, vendi vjen i pjerrët dhe, lidhur me rrugën, ai përfaqëson një sipërfaqe të konsiderueshme paralel me të dhe që është e mbuluar me bar të thatë. Në krahun e majtë të rrugës, drejtimi perëndim, vendi vjen më i ngritur në raport me rrugën dhe krijon një disnivel të përgjithshëm në vlerat 50-70 cm dhe në pjesën ngjitur me rrugën, ku lëviz mjeti një skarpat të ngritur në vlerat 27-40 cm. Para afrimit të vendit të ngjarjes (në distancë 95 m nga pika e referimit), automjeti ka qenë duke udhëtuar drejt tij, duke qenë i vendosur plotësisht në ekstremin e krahut të djathtë të rrugës. Në këto momente, për arsye të panjohura, drejtuesi i mjetit kryen një manovrim të menjëhershëm majtas me timon, për ta kaluar mjetin nga krahu i djathtë i rrugës, në atë të majtë. Gomat e krahut te majtë, dalin nga rruga e hipin mbi skarpatin perëndimor të saj, ndërsa gomat e krahut të djathtë, janë të pozicionuara në gjysmën e rrugës, pjesa perëndimore e saj. Ndërsa mjeti ka hyrë në kthesë dhe gomat e krahut të majtë kanë filluar lëvizjen në pjesën perëndimore jashtë rrugës, ato kanë filluar të shkëpusin kontaktin me tokën dhe lëvizja e mjetit vjen duke u ngadalësuar. Në momentin që goma e parë e majtë ka përshkruar distancën 2.8 metër jashtë rrugës, në pjesën e ngritur në perëndim, ndërsa goma e parë djathtas sapo ka filluar të shkelë në skarpat, kemi fillimin e përmbysjes së plotë të mjetit”. Lidhur me drejtuesin e mjetit, në momentin që mjeti rrotullohet dhe përmbyset, forca që vepron mbi mjet, vepron edhe mbi drejtuesin e mjetit, i cili, në ketë moment, konsiderohet trup i vetëm me mjetin. Për arsye të kësaj force, drejtuesi i mjetit, i pa fiksuar në mjet me rripin e sigurisë të pavendosur, hidhet jashtë mjetit nëpërmjet pjesës së hapur në tavanin e modifikuar në tokë dhe për, shkak të shpejtësisë/energjisë që zotëron, vazhdon të spostohet më tej, duke rrëshqitur në sipërfaqen e tokës dhe ndalon në pozicionin e fiksuar në vendngjarje”
Siç rezulton sa më sipër, të tre ekspertët, një i huaj dhe dy ekspertët shqiptarë, pavarësisht se janë shprehur me akte më vete, kanë arritur në një konkluzion të njëjte në përmbajte, për rrethanat e ndodhjes së aksidentit dhe shkakut të vdekjes. Këto akte përputhen edhe me aktin e ekspertimit tekniko-topografik, datë 15.09.2008, të inxhierit gjeodet, Ermal Gjermani.
Më konkretisht, nga këto akte ekspertimi, rezulton se, modifikimi i automjetit, heqja e kabinës, lëvizja në një terren malor me pjerrësi të konsiderueshme të rrezikshme, mosmbajtja e rripit të sigurimit, manovrimi i menjëhershëm i drejtuesit të automjetit në krahun e majtë, kanë çuar në ndodhjen e aksidentit dhe në ardhjen e pasojës.
c-Dëmtimet e konstatuara, janë shkaktuar nga mjete të forta mprehëse, karakteristike për traumat automobilistike, me mekanizmin e goditjes dhe ngjeshjes së trupit me një pjesë të automjetit në një objekt të fortë.
d-Shkaku i vdekjes së shtetasit Kosta Trebicka, ka qenë shoku traumatiko-hemorragjik, i shoqëruar me kontuzionin e rëndë të trurit në terren të politraumës.
Gjithashtu, në lidhje me këtë procedim penal, janë pyetur 23 persona me cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, nga këta; të afërm të familjes, shokë dhe miq të viktimës, si dhe dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes.
Nga përgjigja e tyre, ka rezultuar e provuar mënyra e lëvizjes së shtetasist Kosta Trebicka, nga data 11.09.2008, deri në datën 12.09.2008, rreth mesit të ditës, ku edhe ka gjetur vdekjen nga ky aksident.
Thëniet e këtyre dëshmitarëve përputhen në raport me të gjitha provat e tjera të sekuestruara në vendin e ngjarjes, tabulatet telefonike të ardhura nga kompania AMC, mbi thirjet e telefonatave hyrëse dhe dalëse të shtetasit Kosta Trebicka.
Duke marrë në analizë të gjitha provat e administruara në procedimin penal, nr.1006, viti 2008, si procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalin e këqyrjes së kufomës, tabela fotografike dhe kaseta filmike e vendit të ngjarjes, këqyrja e automjetit, këqyrja e kufomës, aktet e ekspertimeve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, aktet e ekspertimeve autoteknike dhe topografike, procesverbalet e këqyrjes, marrjes dhe sekuestrimeve të të gjitha provave materiale, pyetjes së dëshmitarëve, tabulatet telefonike etj., arrijmë në konkluzionin se: shtetasi Kosta Trebicka, ka humbur jetën si rezultat i këtij aksidenti rrugor, në mënyrën që arsyetuam në këtë vendim.
Për sa më sipër, si dhe në mbështetje të nenit 328, germa “b” e K. Pr. penale
VENDOSËM:
1.Pushimin e hetimeve të procedimit penal, nr.1006, viti 2008.
2.Të njoftojmë me këtë vendim palët e interesuara, të cilat, me marrjen në dijeni të këtij vendimi, kanë të drejtë të bëjnë ankim kundër këtij vendimi në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Korçë, ose tek Prokurori i Përgjithshëm.
Prokurori i çështjes, DREJTUESI I PROKURORISË
Hysen KULLA, Përparim VUKAJ