E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë jam një Goku

Mirupafshim natyrë. Të fiksuar pas filmave multiplikativë. Fëmijët gjithmonë e më shumë ekranizojnë personazhet e animuar duke humbur lidhjen me realitetin. Mësuesit në dilemën për të ndërhyrë ose për t’i lënë të lirë në shije? Çfarë po ndodh me nxënësit? 45 minuta në klasën e II E në shkollën “Androkli Kostallari” për të ndjekur një orë të lirë vizatimi.

Nxënësit e duan shumë. Emri i tij i vërtetë është Goku. Ka trup muskuloz. Mban të veshur bluzë të hapur, ngjyrë të kuqërremtë, të theksuar. Flokët i ka të llakosura përpjetë deri në rrënjë. Mbath tuta të gjera, të verdha grurë. Ata e adhurojnë sepse heroi i tyre qëllon të poshtrit me atlete të rënda plumb, që lëshojnë shkëndija në çdo goditje, dhe, për më shumë, është trim dhe i zgjuar. Në çdo orë të vizatimit të lirë, Goku, është aty në fleta pune dhe skaleta grafike të mësuara përmendësh. Ai është më i famshëm se edhe vetë Babagjyshi i Vitit të Ri, Borëbardha, Pinoku, Hirushja, madje edhe se vetë Shreku, i cili tashmë ka zbritur renditje në listën e dëshirave. Mësuesit janë në hall të madh. Natyra sa vjen e haset gjithmonë e më pak në vizatimet e lira. Ka nga ata mësues, të cilët nuk shqetësohen, por ka edhe nga ata, të cilët nuk ngurojnë të flasin për fenomenin shterpëzues, që televizioni po brumos te fëmijët. Nxënësit duken si të hipnotizuar. Njerëzit, shtëpitë me çati, qoftë edhe të ngjyera keq, pemët, stolat, gjenden gjithmonë e më rrallë. Nuk është e vështirë të kuptosh se izolimi para ekranit të vogël, po krijon një percepsion krejt tjetër nga realiteti për fëmijët. Goku është i pari në zgjedhje, por jo i vetmi në morinë e personazheve multiplikativë që mbushin fletoret e vizatimit. Denisa, nxënëse në klasën e II E, në shkollën 9-vjeçare “Androkli Kostallari”, ka zgjedhur si temë vizatimi një nga personazhet e saj më të dashur multiplikativë. Quhet Bloom. Edhe vetë mësuese Ariana, për herë të parë, emrin e këtij personazhi e ka dëgjuar nga nxënësit e saj. Denisa thotë se Bloom-in, e ka parë në televizion. Nxënësja është aq e afeksionuar pas vajzës guximtare me flokë të kuqe të lidhura topuz mbi kokë, sa nuk përton ta vizatojë në çdo pozicion luftarak në të cilin Bloom-i gjendet. Po të ecësh pak më tej në banka, do të gjesh edhe personazhe të tjerë, kurrë të dëgjuar më parë: Stela, Winks, Dragon Ball, Tekna. E kush i mban mend të gjithë! Uljan na tregon vizatimin e tij. Personazhi që ai ka vizatuar është Vegeta, një gjysmë fantazmë që kalëron mbi breshkë duke qëlluar në galop e sipër me pistoletë një dragua. Uljani e ka fiksuar aq mirë momentin kur Vegeta qëllon Dragoin, sa nuk i ka shpëtuar nga sytë edhe pagurja që fantazma miope mban në shalë të breshkës së stërmadhe. Në krah të Vegetës, nxënësi nuk ka harruar të vizatojë edhe superheroin e tij aq të dashur Gokun, i cili këtë herë, konturohet me shikim të ashpër në pritje të betejës së radhës. Mësuese Ariana na rrëfen se personazhe të tillë mund t’i gjesh në vizatimet e lira edhe në klasat e larta. “Ky fenomen shikohet edhe në klasën e pestë. Në fillim më bënte përshtypje, por tani jam mësuar, madje duke biseduar me nxënësit, kam mësuar thuajse përmendësh edhe emrat e personazheve multiplikativë. Sigurisht që nuk është fenomen shumë i pëlqyeshëm, por duhet ta pranojmë se kemi të bëjmë me botën fëminore”. Imagjinata e nxënësve shkon edhe më tej se ç’mund të mendosh. Ndryshe nga shokët, Eugeni, vizaton një tatuazh tribal dhe, poshtë tij, një djalë të vogël që fluturon mbi kalë kush e di se ku. “Tatuazhin ia kam parë vëllait, ndërsa këtë djalin e kam parë në filma vizatimorë”. Eugeni e ka më të lehtë të vizatojë heronjtë vizatimorë sesa fenomenet natyrore që shikon jashtë ekranit të televizionit. Po të shikosh me kujdes, edhe vetë sjellja e nxënësve, duket sikur ngjan me lojën e personazheve që ata admirojnë. Qeshin si ata. Kërkojnë t’i krehin flokët po si ata. Madje edhe kur ngacmohen me njëri-tjetrin imitojnë skena apo veprime të ngjashme me ato të para rëndom në filmat vizatimorë.

Kërkojmë një psikolog

Në këtë këndvështrim, nxënësit nuk bëjnë dallim. Si djemtë dhe vajzat, sillen në të njëjtën formë, sa, sikur të harrosh se ke të bësh me fëmijë, do të çuditesh me modelin që ata zgjedhin për të imituar në jetën e përditshme.

Nuk mund të mohohet që midis nxënësve, ka edhe nga ata që përpiqen të vendosin fantazinë në lëvizje, duke u përpjekur të jenë sa më pranë ambientit ku ata jetojnë, familjes, natyrës. Dikush sjell motive nga vendlindja, një tjetër vizaton kostume popullore të zonës nga vjen, një tjetër pikturon gjyshin apo gjyshen. Ajo që shqetëson më shumë shkollat, qoftë ato 9-vjeçare, qoftë ato të mesme sot, është mungesa e psikologëve. Nxënësit kanë nevojë të shprehen mbi fenomenet që ato hasin në jetë, në shtëpi apo edhe në ambientin shkollor. Një mësues, sado i aftë të jetë nga ana pedagogjike, nuk arrin të kuptojë dot kurrë botën e nxënësve, të depërtojë aty ku qëndron thelbi i problemeve. Përgjatë gjithë këtyre ditëve jemi munduar të gjejmë një psikolog, njohës të botëkuptimit të nxënësve, por ka qenë thuajse e pamundur. Në Drejtorinë Arsimore Tiranë, kemi marrë premtimin se së shpejti të gjitha shkollat do të kenë shërbimin e psikologut. Le të shpresojmë, pasi kjo do të ishte edhe në të mirë të vetë nxënësve dhe, sigurisht, të mësuesve, të cilët do të merrnin përgjigje mbi shumë fenomene të ndryshme që hasin në përditshmërinë mësimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›