E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbani larg nga tavolina pataten OMGJ

Opinion

A konsumohet patate OMGJ në tregun shqiptar? Asnjë nuk mund të përgjigjet prerazi po ose jo, edhe pse shanset janë të mëdha. Kemi vetëm një rast të testuar dhe një përgjigje për praninë e OMGJ-ve në vend, madje të pamiratuara në tregun europian (rasti i misrit me konglomerat OMGJ-sh në vitin 2004, pas një analize të kryer në Gjermani me porosi të Shoqatës së Bujqësisë Organike).
Që nga sot, prania e patates OMGJ në treg i ka të gjitha gjasat të jetë prezente në tregun shqiptar. Komisioni Europian ka aprovuar të martën kultivimin e patates transgjenike (OMGJ) Amflora. Ky vendim ka të bëjë me kultivimin për qëllime industriale dhe për përdorimin e produkteve që vijnë nga Amflora në ushqimet për kafshët. Patatja OMGJ, e njohur si Amflora e zhvilluar nga kompania agro-kimike gjermane, BASF, përmban një gen që krijon rezistencë ndaj disa antibiotikëve. Kjo do të thotë se mund të rritet rezistenca ndaj antibiotikëve te njerëzit. “Greenpeace” lajmëron që ky prodhim i patates OMGJ krijon një rrezik të papranueshëm për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve, si dhe ndaj mjedisit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Europiane e Medikamenteve kanë lajmëruar për “rëndësinë kritike” të antibiotikëve të afektuar nga patatja Amflora (WHO, 2005, Canberra, Australia). Lëshimi i patates OMGJ në mjedis mund të rrisë rezistencën bakteriale ndaj medikamenteve që shpëtojnë jetë, duke përfshirë këtu dhe medikamentet për trajtimin e tuberkulozit. Shumë vende të BE-së kanë kundërshtuar autorizimin e këtij prodhimi OMGJ. Ka shumë të ngjarë që shtetet e BE-së të refuzojnë të mbjellin patate OMGJ në territoret e tyre. Austria tha se po planifikonte një ndalim të menjëhershëm për kultivimin e patates, ndërsa ministri i Bujqësisë i Italisë e kritikoi fort vendimin e komisionit dhe premtoi më shumë seriozitet për të mbrojtur “bujqësinë tradicionale dhe shëndetin e qytetarëve”.

Një vend ideal për të eksperimentuar pataten OMGJ edhe për konsum për njerëzit, me apo pa qëllim, mbetet Shqipëria. Kjo për faktin se Shqipëria nuk ka akoma një ligj funksional për OMGJ-të. Edhe një trajtim i mirë për kontrollin e OMGJ-ve që ndodhet në ligjin për ushqimin, nuk mund të zbatohet, pasi në këtë ligj, tinëzisht është shtuar një nen në fund, sipas së cilit pjesa për OMGJ-të hyn në fuqi në vitin 2013.

Megjithatë, Shqipëria ka ratifikuar protokollin e bio-sigurisë (protokolli i Kartagjenas) që i jep asaj mundësinë që mos të lejojë kultivimin apo tregtimin e patates OMGJ, si dhe OMGJ-ve në përgjithësi. Frika e madhe është se duke qenë se në doganat shqiptare nuk ka asnjë lloj kontrolli për prodhime me OMGJ, patatja OMGJ mund të kalojë lehtësisht më vete ose e përzier me pataten konvencionale, duke krijuar në treg një çorientim dhe mosbesim të madh te konsumatori.

Ministri i Bujqësisë shqiptare e ka tagrin për të nxjerrë menjëherë urdhëresë, duke e bërë atë publike edhe në opinionin ndërkombëtar, se Shqipëria do të ndalojë konsumin e patates OMGJ dhe produkteve të përpunuara prej saj. Ky prononcim publik duhet bërë dhe për një arsye tjetër të fortë, veç mbrojtjes së popullatës, që ka të bëjë me imazhin e vendit në lidhje me turizmin. Duke qenë se patatja është një produkt ushqimor shumë i përdorshëm, mund të krijohet një frikë e justifikuar e turistëve, duke ditur dhe mungesën e kontrollit të produkteve OMGJ në vend. Dhe ky imazh negativ, nëse lejohet të krijohet, nuk mund të zhbëhet lehtë. E kundërta do të ishte mjaft e zgjuar. Të proklamohet fort “Shqipëria pa OMGJ”. Kjo do të rriste pa dyshim koeficientin e thithjes së turistëve perëndimorë në vend edhe në planin afatgjatë. Sigurisht proklamimi nuk mjafton. Duhet veprimi dhe menjëherë ndalimi.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›