E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbaron dënimin, ish-zëvendësministri Nikolin Jaka lë qelinë në burgun 302

TIRANE – Lirohet Nikolin Jaka, ish-zëvendësministri i Transporteve i burgosur gjatë operacionit “Duar të pastra”. 

 Gjykata e Tiranës vendosi dje lirimin e tij nga qelia pasi, sipas përllogaritjeve përfundonte dënimin më 19 muaj burg që mori pak ditë më parë. Gjykata pohoi dje në vendim se Jaka tashmë e ka kryer dënimin, pasi iu zbrit një e treta e tij për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar në procesin që përfundoi pak ditë më parë, si dhe u llogarit çdo ditë reale e kaluar në paraburgim e barabartë me 50% më tepër. Gjykata e shpalli vendimin në orët e paradites, ku burime nga procesi pohojnë se edhe përfaqësuesi i akuzës ishte dakord me lirimin e Jakës, pasi sipas tij, ky e kishte shlyer dënimin. Rreth orës 15:45 pas përfundimit të të gjitha procedurave zyrtare Jaka la qelinë e burgut 302 në kryeqytet, ndërsa po e prisnin jashtë të afërmit dhe familjarët e tij. Në vendimin e 19 majit, Gjykata e Tiranës e gjeti fajtor ish-zëvendësministrin Jaka për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, sipas paragrafit të dytë të nenit 245/1, të Kodit Penal. Masa e dënimit për Jakën ishte një vit e 7 muaj burg dhe 1.2 milionë lekë të reja gjobë. Më tej, gjatë vendimit, trupi gjykues pohoi se në bazë të neni 35 të Kodit Penal, Jakës t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej tre vjetësh, ndërsa afati i pagimit të gjobës është 6 muaj pasi vendimi të marrë formë të prerë. Në lidhje me llojin e burgut ku Jaka do të vuante dënimin, gjykata u shpreh se ai duhet të shlyej në një burg të sigurisë së zakonshme. Ndërkohë gjatë ditëve në vazhdim Gjykata e Tiranës pritet të shprehet edhe për kërkesat e të bashkëpandehurve me Jakën, të cilët u dënuan gjithashtu më 19 muaj burg, dënim të cilin e kanë përfunduar. Shkaku që këta iu drejtuan gjykatës për t’u liruar nga qelia në momentin që përfundonin dënimin ishte fakti se vendimi nuk kishte marrë formë të prerë dhe si pasojë nuk mund të ekzekutohej nga burgjet. Tashmë çështja në ngarkim të tyre ndodhet në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit ku e kanë dërguar të pandehurit që kërkojnë pafajësi.              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›