E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ngec tek investimet, realizon vetëm 9 për qind

Qeveria në katër muajt e parë të vitit ka arritur të investojë vetëm 9.83 për qind të fondeve të parashikuara për vitin 2008. Statistikat e Ministrisë së Financave tregojnë se realizimi i investimeve për këtë periudhë është sa 60 për qind e planit 4-mujor. 

Fabiola Çela

Shifra, edhe pse duket se nuk prek direkt popullsinë, tregon për një abuzim të pastër me fondet publike. Ky abuzim bëhet më i dukshëm, po të krahasohet me të ardhurat e vjelura nga tatimet e doganat. Sipas statistikave, plani i të ardhurave për këtë periudhë është tejkaluar me 9 për qind, ose janë mbledhur rreth 5 miliardë lekë më shumë. Pra, qeveria ka vjelur taksat, ka marrë paratë nga shqiptarët dhe nuk i ka kthyer ato sërish, me anë të investimeve. Kjo tregon qartë paaftësinë menaxhuese të parave. Investimet janë detyrim i qeverisë, ato janë kthimi i borxhit që qytetarët, bizneset, paguajnë me anë të taksave. Për këtë periudhë të vitit, ky borxh është kthyer vetëm me 60%, ndërsa në raport vjetor, vetëm me 9.8 për qind.
Investimet publike ecin me ritme të ngadalta edhe pse qeveria i ka paratë që i nevojiten për realizimin e tyre. Në fakt vonesat në realizimin e investimeve publike shpeshherë janë bërë objekt debati mes qeverisë dhe opozitës. Por zyrtarë të qeverisë kanë deklaruar se pavarësisht vonesave të deritanishme, qeveria do të arrijë të shpenzojë fondet për investimet publike deri në fund të vitit. Duket se edhe këtë vit qeveria do ta zgjidhë qesen për investimet publike gjatë muajve të fundvitit. Por kjo është një thikë me dy presa për qeverinë dhe qytetarët.
Inflacioni
Në buxhetin e shtetit pjesa më e madhe e të ardhurave janë destinuar për investime publike, por edhe pse realizimi i tyre gjatë këtyre muajve të parë të vitit është me goxha vonesë, qeveria ka premtuar se deri në fund të vitit fondi për investime do të shpenzohet i tëri. Por shpërndarja e parave për investime në fund të vitit, ndikon në rritjen e nivelit të inflacionit në vend. Një gjë e tillë është paralajmëruar edhe nga ekspertët e ekonomisë duke pasur parasysh edhe faktin se niveli i inflacionit gjatë këtyre muajve është më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo do të thotë, që paratë e hedhura në fund të vitit do të shtrenjtojnë edhe më shumë çmimet. Do ketë më shumë kërkesë dhe më pak ofertë.
Vonesat
Vonesat në realizimin e investimeve publike mund të dallohen shumë lehtë. Një ndër rrugët, ndërtimi i së cilës duhet të kishte përfunduar kohë më parë, është ajo Lushnjë-Fier. Një tjetër investim, i cili ishte premtuar se do të përfundonte një muaj më parë është edhe mbikalimi tek kthesa e Kamzës. Si pasojë e mospërfundimit në kohën e caktuar në kontratë, ndërtimi i mbikalimit, në këtë zonë ka çorientuar komplet trafikun e automjeteve. Për rrjedhojë trafiku në këtë zonë është kthyer në një kaos të vërtetë. Në çdo orë të ditës trafiku i automjeteve në këtë pjesë është tejet i rënduar.

Realizimi i buxhetit (milionë lekë)

Plani        Realizimi    Realizimi
(4-mujor)        (4-mujor në %)    (Vjetor në %)

TOTALI TE ARDHURAVE               
87,807        103.25%        30.95%

Tatimet dhe Doganat               
62,853        109.33%        32.12%

Tatimi mbi Vleren e Shtuar               
32,423        108.06%        32.45%

Tatimi mbi Fitimin               
7,305            150.63%        50.66%

Tatimi mbi te Ardhurat Personale
6,563            177.39%        40.34%

Taksa Doganore               
2,835            101.58%        30.12%

Gjoba dhe sekuestrime               
583       

TOTALI I SHPENZIMEVE               
78,587        86.00%        21.30%

Shpenzime Korrente               
67,311        93.24%        26.60%

Ndihma Ekonomike               
3,448            92.07%        28.63%

SHPENZIME KAPITALE
10,377        59.63%        9.83%

Financimi Brendshem               
3,903            58.07%        10.05%

Financimi Huaj
6,474            60.62%        9.70%

Rruga Durres-Kukes               
4,913   

Rindertimi I Gerdecit   
898               

DEFIcITI               
9,220            -145.51%    -10.80%

Berisha te Fier-Vlorë, harron Lushnjën

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se autostrada Fier-Levan-Vlorë, do të nisë qarkullimin në dy korsi, në maj të vitit 2009. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e ka bërë gjatë inspektimit të punimeve në këtë aks rrugor. Por kreu i qeverisë ka vizituar Fierin pa ndaluar më parë në aksin rrugor Lushnje-Fier, i cilësuar si një ndër akset më problematike të vendit dhe ku duhet të përfundonin punimet në mars të këtij viti. "Interesi për portin e Vlorës, u shpreh Kryeministri, po rritet çdo ditë dhe kjo e bën edhe më të domosdoshme përfundimin e shpejtë të rrugës". Kryeministri tha se, gjatë ndërtimit të autostradës do të bëhet kujdes të mos cenohet zona arkeologjike e Apolonisë. "Rruga ka një gjurmë të re, si dhe do të bëhet një studim i dytë lidhur me by-pass-in e Fierit, pasi ai përbën një shqetësim shumë madhor për zonën arkeologjike të Apolonisë. Nëse trafiku lëkund themelet e zbulimeve arkeologjike, ne do të gjejmë një variant, ndonëse më të kushtueshëm, që kalon përmes kodrave të Koshovicës për të dalë në anën tjetër. Apolonia është një pasuri që nuk mund të kërcënohet, por të përfshihet në trashëgiminë botërore", u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›