E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrasja” e dëshmitarit, mbyllet dosja

Mbërrin në Prokurorinë e Tiranës raporti i dytë i policisë mbi rrethanat e vdekjes së Gani Kamberit, për të cilin u dyshua se është vrarë për shkak të denoncimeve për skandalin e vjedhjes së tokave në Kashar. 

Trazhgim Sokolaj

Shërbimet e policisë kanë raportuar në Prokurori të dhënat e reja që mblodhën pas zhvarrosjes së 50-vjeçarit nga Kashari dhe ripyetjes së 26 dëshmitarëve të ngjarjes. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së kryeqytetit të cilat konfirmuan se zyrtarët e këtij institucioni po shqyrtojnë materialet e ardhura nga policia me qëllim gjetjen e një rrugëzgjidhje për dosjen misterioze. Sipas burimeve të Prokurorisë edhe në raportin e dytë të saj, policia është shprehur se Gani Kamberi është vetëvrarë duke përjashtuar në këtë mënyrë, dyshimet për vrasjen e tij nga persona të tjerë në formë hakmarrje për denoncimet që viktima kishte bërë lidhur me skandalin e vjedhjes së tokave të banorëve të zonës në Kashar. Duke e vlerësuar ngjarjen si vetëvrasje, policia duket se i ka mbyllur veprimet e saj megjithatë Prokuroria tha se, do ta vlerësojë materialin e më pas do të vendosë për çështjen. “Do të bëhet një vlerësim i të gjitha provave duke përfshirë edhe raportin e dytë të policisë dhe mjekëve ligjorë pas zhvarrosjes së Gani Kamberit me qëllim që të saktësohet përfundimisht çfarë ka ndodhur”, thanë burimet e akuzës.
Hetimi i krimit
Raporti i policisë e bazon variantin e vetëvrasjes së 50-vjeçarit tek faktorët plotësues që iu gjetën viktimës në dorën e djathtë dhe në kokë, ku sipas policisë ka pasur thërrmija baruti. Policia i ka konsideruar të pabazuara dhe të pambështetura në prova, pretendimet e bashkëshortes së Gani Kamberit dhe djalit të tij, të cilët kanë dëshmuar se viktimën e kishin vrarë personat që i kishin grabitur 9 mijë metra tokë. Të afërmit janë shprehur në deklarimet e tyre për policinë por edhe për median se, Gani Kamberi ka pasur përplasje dhe incidente fizike me grabitësit e pronës së tij që kur kishte denoncuar skandalin në organet e drejtësisë. Policia e kryeqytetit i ka qëndruar në këtë mënyrë të njëjtit version të ngjarjes të cilin e raportoi edhe në tetorin e vitit 2007 vetëm pak ditë pas vdekjes së Gani Kamberit në rrethana ta paqarta me një plumb në kokë, fare pranë banesës së tij në Kashar. Rreth një javë pas ngjarjes së ndodhur më 13 tetor 2007, policia dërgoi në Prokurori materialet ku thuhej se Gani Kamberi ishte vetëvrarë. Por një muaj më pas, Prokuroria ktheu dosjen mbrapsht në polici të cilës i kërkonte të bënte verifikime për një vrasje të mundshme të viktimës, qoftë edhe duke e zhvarrosur atë si dhe duke pyetur 26 dëshmitarë që përmendeshin me emra në urdhrin e delegimit të dosjes nga Prokuroria në polici.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›