E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbaron gjaku në spitalin e Gjirokastrës, mjekët japin alarmin

Mjekët e spitalit të Gjirokastrës japin alarmin për mbarimin e depozitave të gjakut. Askush gjatë këtij viti, nuk ka dhuruar vullnetarisht gjak pranë Bankës së Gjakut në Spitalin Rajonal Omer Nishani duke shtruar në këtë mënyrë një problem të mbartur prej vitesh.

Të gjendur përpara këtij fakti, dega e Kryqit të Kuq të Gjirokastrës, ditët e fundit ka ndërmarrë një iniciativë konkrete në publik për mbledhjen e depozitave të lëngut jetësor nga njerëz të ndryshëm. Sipas koordinatores së Kryqit të Kuq për Gjirokastrën Ida Hysi, në terren përveçse është sonduar për pikëpamjen e njerëzve për të dhuruar gjak, është vepruar edhe me sensibilizimin tek qytetarët për tu bërë pjesë dhuro gjak-shpëto jetë. Të vetmit që i janë përgjigjur kësaj thirrjeje, kanë qenë vetëm pedagogët dhe studentët e Universitetit të Gjirokastrës. 35 prej tyre, kanë dhuruar vullnetarisht gjak duke plotësuar sadopak një boshllëk i konstatuar prej disa kohësh nga ana e Spitalit Rajonal. Nevoja për gjak është mjaft e ndjeshme në Gjirokastër dhe sipas të dhënave që disponojnë mjekët e spitalit të Gjirokastrës, është vështirë të marrësh gjak nga vullnetarët në momente kritike kur nevojitet pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Në mjaft raste, kanë qenë të afërmit e pacientëve ata që kanë dhënë gjak. Mungesa e gjakut është një fenomen i përsëritshëm në Gjirokastër, pasi qytetarët e kanë të vështirë të binden për nevojshmërinë dhe pozitivitetit që pëson trupi human në rastet e dhurimit të gjakut-shprehet Hysi. Që prej mungesës së shpërblimit për personat që jepnin gjak kundrejt pagesës, në Puntin e Gjakut në Gjirokastër, askush nuk paraqitet përveçse rasteve sensibilizuese nga organizma vendase apo ndërkombëtare. Problematike është gjendja edhe në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ku mungesa e gjakut është mjaft evidente. Bankat e gjakut në çdo qark janë thuajse bosh dhe mbahen vetëm falë dhuruesve që e japin gjakun me pagesë. Por edhe këta janë përherë e më të pakët, gjë e cila bën që në spitale të ketë sasi tepër të pakta gjaku. Aty mjekët dhe kirurgët u kërkojnë familjarëve që për çdo pacient që duhet të operohet, duhet të ketë gjendje të paktën dy qeska gjak me nga rreth 450-500 mililitra secila. Kjo tashmë është kthyer në një rregull në QSUT dhe për çdo pacient të operuar ka të paktën nga dy familjarë që shkojnë pranë Bankës së Gjakut për të dhuruar. Vetëm falë bashkëpunimit që qendrat transfuzionale dhe Bankat e Gjakut kanë me disa shoqata humanitare që merren me dhurimin vullnetar të gjakut, arrihet që të sigurohet një sasi minimale. Më e njohura dhe që ka shtrirë aktivitetin e saj në të gjithë kryeqytetin kohët e fundit, është Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, e njohur si "DHVGJ".

Last Updated on E Premte, 30 Prill 2010 20:53

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›