E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i PPE-së sulmon PS-në: Lëri ankesat dhe të bashkëpunojmë

Martens dhe Fratini, deklaratë për situatën politike në vend

E djathta europiane i kërkoi dje me forcë Partisë Socialiste që të linte mënjanë ankesat e saj për procesin e shkuar zgjedhor dhe të bashkëpunonte me mazhorancën për reformat që kërkoheshin. Po kështu theksohet fakti se kriza politike nuk ndikon në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Presidenti i Partive Popullore Europiane, Wilfried Martens, dhe koordinatori i grupit të ministrave të Jashtëm të PPE-ve, Franko Fratini, nëpërmjet një deklarate të përbashkët kërkuan që PS dhe kryetari i saj, Edi Rama, të merrnin pjesë aktivisht në jetën parlamentare të vendit, duke lënë mënjanë pretendimet për procesin e kaluar zgjedhor. Kjo deklaratë u bë në vigjilje të mbledhjes së rëndësishme që pritet të mbahet në Itali, ku do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të partive të djathta europiane.

“Ne shprehim shqetësimin tonë për situatën aktuale politike në vend, e cila është krijuar pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009, me refuzimin që bën z.Rama dhe PS për të përmbushur detyrimet e tyre si një opozitë parlamentare, duke zgjedhur që ankesat e tyre t’i çojnë në rrugë dhe të ndalojnë funksionimin normal të Parlamentit”, theksohet në deklaratën e bërë për Shqipërinë nga ana e Martinez dhe Fratinit. Dy përfaqësuesit e lartë të së djathtës europiane theksojnë në deklaratën e tyre se me gjithë akuzat e opozitës, Kryeministri Sali Berisha është legjitim dhe Parlamenti shqiptar funksionon normalisht. “Ne i kërkojmë opozitës socialiste që të qëndrojë në Parlament për të përmbushur rolin e saj si një opozitë parlamentare e dalë nga rezultati i zgjedhjeve i konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Elektoral i Gjykatës së Apelit dhe nga të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë”, theksohet në deklaratë, duke shtuar se kërkesat e opozitës për transparencën e zgjedhjeve janë në kundërshtim me ligjet e vendit. Po kështu, Martinez dhe Fratini theksojnë se procesi i liberalizimit të vizave në Shqipëri nuk mund të vihet në pikëpyetje nga kriza aktuale politike. “Ne besojmë se qëndrime të tilla do të ishin vetëm në dëm të qytetarëve shqiptarë”, theksojnë ata. Në kuadër të liberalizimit të vizave përshëndetet edhe progresi që është bërë nga ana e qeverisë shqiptare dhe shprehet besimi se Këshilli dhe Parlamenti Europian do ta aprovojnë liberalizimin e vizave brenda vitit 2010 për të gjithë qytetarët shqiptarë. “Ne i kërkojmë opozitës të respektojë Kushtetutën e vendit dhe të veprojë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, duke i kujtuar se kriteri i Kopenhagës është një kriter kryesor për hyrjen në Bashkimin Europian”, deklarojnë në deklaratën e tyre Martinez dhe ministri i Jashtëm italian. Ata theksojnë se BE do ta ndihmojë Shqipërinë në përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe shtetin ligjor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›