E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin “dosja” e Mediut nga SHBA

Nga Tema

Ministria e Drejtësisë ka marrë zyrtarisht përgjigjen për letër-porosinë që Prokuroria e Përgjithshme iu ka dërguar autoriteteve amerikane të Drejtësisë lidhur me Fatmir Mediun, i pandehur për tragjedinë e Gërdecit. Burime të rezervuara brenda Ministrisë së Drejtësisë konfirmojnë mbërritjen e letër-porosisë, në të cilën gjenden detaje për llogaritë financiare të Mediut në SHBA dhe një numër i madh transaksionesh financiare që ky i fundit ka kryer përmes këtyre llogarive.

Sipas procedurës, Ministria e Drejtësisë duhet ta përkthejë letër-porosinë dhe t’ia dërgojë atë zyrtarisht prokurorisë. Por burime nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se përkthimi do të vonojë dhe se personi kyç që ka marrë letër-porosinë në Ministri të Drejtësisë është një lidhje e ngushtë e Fatmir Mediut.

Sidoqoftë, sado që të vonojë, letër-porosia do të përkthehet dhe do t’i dorëzohet prokurorisë. Synimi është që ajo të mos përkthehet para zgjedhjeve të 28 qershorit për të mos e dëmtuar politikisht Mediun.

Në këtë ministri ka mbërritur dhe letër-porosia për Efraim Diverolin disa muaj më parë dhe nuk dihet, nëse i është dorëzuar apo jo prokurorisë.

PR: Ina Rama, e nxitur nga mediet, devijoi në pista të ndryshme hetimesh

Partia Republikane sulmoi dje kryeprokuroren, Ina Rama, duke theksuar se ajo ka nxjerrë sekrete të hetimit. Kryetari i grupit parlamentar të PR, Arian Madhi, tha dje se Rama është nxitur nga media në pistat hetimore të sajat.

“Jo rrallëherë e nxitur nga media qëllimisht prokuroria ka hetuar në drejtime që nuk kanë lidhje me hetimin, ashtu siç ka neglizhuar dhe devijuar hetimin duke shmangur nxjerrjen e përgjegjësive reale, gjë e cila vërtetohet plotësisht nga dosja dhe ne do t’ua bëjmë prezente më vonë”, - tha Madhi.

Sipas tij, sulmet dhe padia ndaj Prokurores së Përgjithshme po bëhen në këto momente, për shkak se tani dosja është dorëzuar në gjykatë.

“Që një vit më parë ne e kemi konsideruar këtë veprim të prokurores si tendencioz dhe të paligjshëm.

Kërkesa për procedim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme është bërë sot, pas përfundimit të hetimeve, sepse, nëse do ta kishim bërë këtë akt 1 vit

më parë, atëherë kjo do të konsiderohej si ndërhyrje dhe presion mbi prokurorinë dhe hetimin. Sot ky denoncim i yni, pasi dosja është depozituar në gjykatë, nuk përbën kurrsesi presion mbi organin e prokurorisë, por kërkesë për të vendosur të barabartë përpara ligjit deputetin, prokurorin dhe qytetarin e thjeshtë”, - tha Madhi.

Më pas i gjithë sulmi i tij është përqendruar te prokurori i çështjes, Sokol Stojani. Madhi i ka kërkuar presidentit që të shkarkojë Stojanin, ndërsa ka kërkuar dhe tabulatet e telefonatave të tij.

“Zoti Sokol Stojani, kryetari i grupit të hetimit, po ashtu në mënyrë të qëllimshme, të paligjshme dhe politikisht është po ashtu i angazhuar në veprime kriminale kundër zotit Mediu. Me urdhër të kujt apo për çfarë arsyesh i takon atij ta deklarojë.

Z. Mediu për rreth një vit i është drejtuar me shkrim dhe drejtpërdrejt organit të prokurorisë për t’u pyetur dhe kjo kërkesë e tij në mënyrë absurde nuk është përfillur, me arsyetimin se nuk kanë marrë urdhër për këtë veprim. Në çdo vend demokratik, ku drejtësia është vërtet e pavarur, çdo prokuror në një rast të tillë do të largohej për shkak të paligjshmërisë së veprimit të tij.

I kërkojmë autoritetit kompetent që të kërkojë në mënyrë urgjente tabulatet e telefonave të prokurorit Stojani.

Në emër të Partisë Republikane i kërkojmë Presidentit të Republikës të ndërmarrë të gjithë hapat institucionalë dhe ligjorë karshi prokurorit Stojani”, - tha Madhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›