E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse nuk duhet penguar plani i ri i Berishës për PD

Nga Mero Baze

Ka disa shqetësime në rritje nga ish-figura të njohura të PD që po riartikulojnë nevojën për reformimin e PD dhe po e trajtojnë këtë nevojë nën optikën e nostalgjisë dhe emocioneve që është ngulitur në mendjen e tyre nga PD e viteve 1991-1992. I tillë ishte dje dhe shqetësimi i Prof. Dr. Gjongecaj në gazetën “TemA”. Nuk dua të zhgënjej askënd me qetësinë, me të cilën pres që kjo gjë të mos ndodhë. Madje, të mos ndodhë as si përpjekje. Kam disa arsye për këtë.

Arsyeja e parë është se kjo fabul, që kishte 13 vite që kërkohej, sa herë në PD shkeleshin rregullat e lojës dhe sidomos që pas zbimit klasik të Eduard Selamit, u konsumua në vitin 2005. Gjithë energjitë e atyre që mendonin se zgjidhja do të vinte nga ribashkimi i forcave të themeluesve të PD dhe energjive pozitive të asaj periudhe, ku autoritarizmi nuk ishte stabilizuar, u konsumuan. Viti 2005 ishte një përpjekje e sforcuar gjigante e gjithë atyre që besonin te kjo legjendë dhe vetë Berishës që i duhej kjo legjendë. Dhe pak a shumë u bë. Disa nga ish-emrat e vitit 2005 u kthyen në oborrin e PD pak nga pak. Pashko, Imami dhe Ruli u riafruan, dy të parët duke i besuar ëndrrës, i treti duke i besuar pazarit. Po ashtu, ishin kthyer më parë Zogaj dhe Ngjela, dhe iu bashkuan të rikthyerve disa ish-ministra apo ish-zyrtarë të lartë të pushtetit të PD. Këtyre të rikthyerve iu shtua koalicioni me djem plangprishës, si Pollo e Xhaferri, dhe me një tufë djemsh e vajzash të reja, kryesisht nga administrata e UNMIK në Kosovë, ku punonte dhe vajza e zotit Berisha, të cilët u pagëzuan si KOP. Formula e reformimit formalisht funksionoi. Madje, për ta bërë dhe më nostalgjike atë, Berisha u përlot në Kuvendin e prillit të vitit 2005, në përpjekje për të kërkuar ndjesë për ashpërsinë dhe autoritarizmin. Unë isha nga ata që mbroja tezën, atëherë të besueshme, se Berisha është nën kontrollin e disidentëve të tij dhe s’mund të ribëhet autoritar dhe se PD tani e tutje do të funksionojë me rregulla. Dhe shumica e njerëzve besuan. Por asgjë nuk ndodhi. Pas vitit 2005 PD u bë partia me hermetike e mundshme që ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Godina e saj është bërë anekdotike për shkak të kyçjes së saj katërvjeçare nga një dordolec që rri me çelësa në qafë. “Garantët”, për të cilët unë çirresha se do t’i bënin oponencë Berishës, zhytën duart në lyrën e pushtetit dhe janë përlyer të gjithë nga dhjami i korrupsionit. Genc Ruli, i cili ishte i fundit që mezi u kthye deri në mars të 2005, dhe Genc Pollo që mezi pranonte të quhej dhe në koalicion me PD, sot janë beniaminë të një autoritarizmi dhe regjimi nepotik familjar, për të mos thënë që janë kthyer në noterë të legjitimimit të pasurive të familjes në pushtet. Të tjerët janë asgjësuar si të paqenë dhe të vetmit që po veprojnë me mençuri në gjithë këtë situatë janë ish- pjesëtarët e KOP (përjashto Aldo Bumçin), të cilët po ruajnë profilin e tyre në heshtje pa u konsumuar në këtë debat politik degradues. Sali Berisha dëshmoi se nuk kishte asnjë plan për të hapur PD, asnjë plan për ta ndryshuar atë dhe mbi të gjitha asnjë plan për të ndarë pushtet me dikë brenda saj. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, si Mustafaj, Ngjela, të cilët u sakrifikuan në dy beteja të dhimbshme elektorale në Tiranë, i flaku. Mustafaj po sillet si çifuti në shkretëtirë që të marrë vesh se kur mund të bëhen zgjedhjet në Tiranë, ku pretendon të jetë kandidat dhe s’ia thotë askush. Ky rrënim është fryt i kontradiktës së planit me trukun që u bë. Ky është dështimi i fundit që na lejohet të gjithëve. Ne që e besuam se ndryshimi do funksiononte dhe ai që ia arriti ta ndryshonte këtë projekt, tashmë s’kemi asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin. Ndaj përpjekjet për të risjellë në skenën politike përsëri një teatër të tillë, janë jo vetëm të padobishme dhe të lodhshme, por dhe të rrezikshme. Unë e kuptoj që njerëz si Prof. Gjongecaj e kanë shumë seriozisht atë që thonë, por ata duhet të kuptojnë se të merresh seriozisht i Sali Berishës në këto moment është krim i përsëritur dhe ata që bëjnë gabime të përsëritura, ndëshkohen rëndë.

Përkundër kritikëve të Berishës, ku hyj dhe unë, tashmë Berisha është më i qartë se ne. Ndryshe nga viti 2005, Sali Berisha nuk po përpiqet të bëjë asnjë truk. Ai nuk po përpiqet as të gjejë të vjetër, as të rinj, as të mençur, as ideatorë. Ai po e bën vetëm betejën. Ka ndërtuar një sistem elektoral të tillë, që i jep atij pushtet të plotë dhe ka dalë në betejë i qartë për të marrë përsipër gjithçka. Ai po flet për “qeverinë e tij”, për “planin e tij”, për “njerëzit e tij, për “familjen e tij”. Kjo është beteja më e qartë, në të cilën ka hyrë ndonjëherë. Ai po prodhon marrëdhënie publike që identifikohen tërësisht me shkollën e tij politike. Mjafton të keni guximin të mbyllni sytë dhe të sillni në mend në të qindtat e sekondës çfarë thotë Bogdani dhe Bumçi përditë për të kuptuar stilin e luftës politike të Berishës. Ai nuk po bën kujdes me shumë vetëdije ta ndajë përgjegjësinë me askënd. Ndryshe nga paniku që kishte më 2005 deri te njomja e syve dhe hundëve, ndërsa fliste për ndryshimin, tashmë ai nuk ka komplekse të tilla. Është i qartë në vendimin e tij për t’ia dalë i vetëm. Ndaj nuk duhet pritur ndonjë risi në listat e deputetëve, nuk duhet pritur të mbajë ndonjë Kuvend PD në prill, dhe pse i ka kaluar mandati, nuk duhet pritur të bëjë zgjedhje në PD siç kërkon Bashkim Kopliku, nuk duhet pritur të bëjë ndonjë ekip. E ka marrë përsipër vetëm betejën dhe është nisur për luftë. Nëse ia del kështu siç e ka nisur, atëherë ai nuk provon fuqinë e vlerave të veta, por provon faktin se njeh mirë mungesën e vlerave të shoqërisë sonë. Nëse e humbet, sërish mos mendoni se do të ikë, por do të përpiqet të mbijetojë me njerëzit e vet. Ndaj thirrjet për reformim të PD dhe rivendosje të disa vlerave tranzicionale të saj janë pa të ardhme. Berisha duhet të konsumojë planin e tij dhe njerëzit e PD që janë jashtë këtij plani duhet të bëjnë planin e tyre pas Berishës. Tani s’ka as kohë, as vend dhe as shans ta pengojë dikush në rrugën që ka nisur me shumë vetëdije për të marrë përsipër gjithçka, humbjen ose fitoren. Dhe është mirë të mos pengohet në këtë rrugë. Gabimi i vitit 2005, kur të tjerë morën përsipër luftën dhe ai pushtetin, s’duhet të përsëritet më, pasi është krim, edhe pse shumë vetë, siç është dhe profesor Gjongecaj, nga dashuria për PD, e quajnë reformim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›