Mbërrin vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës
Mbërrin në vendin tonë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës. Për herë të parë do të vaksinohen një grup vajzash për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Vaksina do të ketë një kosto prej 4500 lekësh dhe mund të kryhet tek të gjitha femrat nga 20 deri në 50 vjeç. Gjithçka është bërë publike gjatë konferencës së javës ndërkombëtare të luftës kundër kancerit në qafën e mitrës, ku ka marrë pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Kompania “Gloxo Smith Kline” ka mundësuar vaksinimin, i cili pritet të kryhet së shpejti për kontingjentin të parë të vajzave. Në vendin tonë, ky lloj kanceri ka një tregues prej 4.1 për 100 000 banorë. Ndërkohë që vaksinimi dhe depistimi (pap-testi) ofrojnë mbrojtjen më të mirë të mundshme nga kjo patologji. Specialistët vlerësojnë se dalja e vaksinës për mbrojtjen nga kjo sëmundje krijon mundësi shumë të mëdha për të shpëtuar jetën e femrave. Parandalimi nëpërmjet vaksinimit dhe kryerjes së depistimeve periodike reduktojnë rrezikun e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës deri në 94 për qind. Deri tani në tregun shqiptar ka munguar vaksina kundër kësaj sëmundjeje, e cila nis të aplikohet qëkur vajzat arrijnë moshën 10-vjeçare. Vaksina e kancerit të qafës së mitrës jepet si një seri prej tre dozash për një periudhë 6-mujore. Sipas specialistëve, si gratë e reja, ashtu dhe ato në moshë më të rritur, janë në rrezik për t’u prekur nga kanceri i qafës së mitrës. Të dhënat shkencore tregojnë që vaksina është e efektshme deri në moshën 55-vjeçare. Për grupmoshat mbi 26 vjeç, përpara vaksinimit rekomandohet bërja e testit për prezencën e virusit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka llogaritur se çdo vit, afërsisht 500 000 gra diagnostikohen me kancer të qafës së mitrës dhe se mbi 50 për qind e tyre vdesin nga kjo sëmundje. Grupmoshat më të prekura në vendin tonë janë ato mbi 40 vjeç. Kulmi i të prekurave arrin në moshat 45-49 vjeç, ku treguesi është 14.9 raste për 100 mijë banorë. Në moshat 50-54 vjeç ky tregues shkon në 14.3 raste, kurse në moshat në 56-69 vjeç, në 12.2 raste për 100 mijë banorë. Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga një virus i zakonshëm, i quajtur human papillomavirus (HPV). Nga mbi 100 tipa që njihen, vetëm 15 janë të lidhura me kancerin. Infektimi prej çdonjërit konsiderohet si shkaku i gati 99.7% të rasteve me kancer të qafës së mitrës. Tipat e HPV-ve që shkaktojnë kanceret më të shpeshta dhe më agresive janë HPV 16 dhe 18, të ndjekur nga HPV 45 dhe pastaj 31. Kanceret e shkaktuar nga tipat e HPV 16 dhe 18 janë përgjegjës për 71.5 për qind të kancereve të qafës së mitrës në Europë. HPV 45 dhe 31 janë së bashku përgjegjës për një shtesë 10 për qind të të gjitha rasteve të prekura.
20 Janar 2009