Nisin aplikimet për specializimet e studentëve të Mjekësisë
Emanuela Sako
Nisin aplikimet për studentët e Mjekësisë që duan të kryejnë studimet për specializime në degë të ndryshme. Fakulteti i Mjekësisë ka shpallur hapjen e aplikimit dhe ka afishuar të gjitha dokumentet që duhet të dorëzojnë konkurrentët. Studentët e Mjekësisë, për t’u bërë mjekë profesionistë në një specialitet të caktuar, duhet të përmbushin një numër të caktuar kriteresh për të ndjekur specializimet afatgjata në një degë të caktuar të Mjekësisë. Specializimet afatgjata për studentët e Mjekësisë janë studimet e vetme pasuniversitare 3 apo 4-vjeçare, që bëhen për kualifikimin e mjekëve. Të gjithë studentët që mbarojnë sistemin 5-vjeçar, me të cilin cilësohen si mjekë të përgjithshëm, duhet të ndjekin studimet pasuniversitare për t’u kualifikuari si mjekë specialistë.
zgjedhja
Kuotat e pranimit përzgjidhen nga Këshilli i Ministrave në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Tashmë janë hapur vetëm procedurat e dorëzimit të dokumentacionit dhe më pas do të përcaktohen kuotat dhe specialitetet, ku është e nevojshme që të shtohen specialistët. Degët e Mjekësisë do të publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, pasi të ketë ezauruar shqyrtimin e kërkesave që kanë të gjitha spitalet e vendit për specialistë të ndryshëm. Vitin e kaluar, Fakulteti i Mjekësisë ofroi rreth 30 degë të ndryshme të Shëndetësisë për pranimin e studentëve që duan të vazhdojnë studimet.
Dokumentet
Për pranimin e kandidatëve, Fakulteti i Mjekësisë ka përcaktuar procedurat që i çon ata në konkurrim. Kështu, kandidatët duhet të dorëzojnë pranë Fakultetit të Mjekësisë një kërkesë-deklaratë (të plotësuar me shkrim shtypi), dokument identifikimi: certifikatë lindjeje me fotografi e vulosur, ose kopje e noterizuar e letërnjoftimit apo pasaportës për jashtë shtetit. Të gjithë aplikantët duhet të jenë në moshën 35 vjeç ose mbi këtë moshë. Po kështu, ata duhet të dorëzojnë një kopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare dhe të listës së notave (shoqëruar me origjinalet, të cilat i kthehen menjëherë kandidatit pas regjistrimit). Një ndër kriteret kryesore për pranimin e studentëve është nota mesatare e të gjitha viteve të jetë mbi 8, si dhe njohja e një ose më shumë gjuhëve të huaja të mbrojtura. Të gjithë kandidatët aplikues duhet të kenë kryer një vit stazh pune. Gjatë kohës së specializimeve aplikantët vazhdojnë studimet kundrejt një pagese që vendoset nga qendrat spitalore të pranimit ku kryhet praktika apo mësimi. Pasi mbarojnë studimet e sistemit 5-vjeçar, studentët e Mjekësisë mund të kryejnë dhe titullin “Master” edhe pse nuk mund të kenë kryer studimet afatgjata pasuniversitare.
Dokumentet
Dokument identifikimi: certifikatë lindje me fotografi e vulosur, ose kopje e noterizuar e letërnjoftimit apo pasaportës për jashtë shtetit. Duhet të kenë moshë mbi 35 vjeç.
Kopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare
Kopje e noterizuar e listës së notave (shoqëruar me origjinalet, të cilat i kthehen menjëherë kandidatit pas regjistrimit).
Nota mesatare e të gjitha viteve të jetë mbi 8.
Kopje e noterizuar e diplomës së njohjes së një gjuhe të huaj (përkatësisht: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht).
20 Janar 2009